Zbardhen detaje në lidhje me automjetin e gjetur të djegur në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë.
Policia bën me dije se automjeti dyshohet se është përdorur në një ngjarje të ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Besim Cera”, ku në murin rrethues të banesës së shtetasit Q. K. (i cili banon jashtë shtetit) janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit.
Kujtojmë se në automjetin tip “Peugeot” u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, ku në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër, brenda një automjeti tip “Peugeot”, të djegur plotësisht, bëjmë me dije se: Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur me datë 03.10.2025, në rrugën “Besim Cera”, ku në murin rrethues të banesës së shtetasit Q. K. (i cili banon jashtë shtetit) janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit. Ngjarja e ndodhur është konstatuar ditën e djeshme pas hetimeve dhe verifikimeve intensive të kryera nga grupi hetimor. Punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.





