Greqi, 28 mars 2014 –  Dalin rezultatet e para të autopsisë së trupit të të dënuarit shqiptar Ilia Kareli, i cili vdiq në qelinë ku ishte dërguar mbrëmjen e së enjtes. Mediat greke raportojnë se vdekja e tij është shkaktuar si pasojë e rrahjeve. Rezultatet e autopsisë treguan se 40 vjecari kishte thyerje në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta në trup. Po sipas mjekëve që kanë firmosur rezultatet e ekspertizës, goditjet janë shkaktuar para 24 orëve dhe jo me duar, çka të shtyn të mendosh se autoritet e burgut e kanë goditur të burgosurin shqiptar me mjete të forta. Ndërkohë janë urdhëruar analiza dhe ekzaminime të tjera të trupit. Mediat iu referohen deshmive të zyrtarëve të burgut, sipas të cilëve, kur Kareli mbërriti në burg dje rreth orës 16:00, kishte shenja goditjeje në trup, gërvishtje dhe hematoma. Ai nuk u ankua për dhimbje dhe kur i kërkuan që ta dërgonin në ambulancë nuk pranoi. Tha se për të gjitha e ka fajin prokurori dhe bërtiti: “Më sillni një litar!” 

Qelia e izolimit u krijua posaçërisht për të, ishte e survejuar me kamera dhe çdo lëvizje e tij është e regjistruar nga kamerat e sigurisë. Rreth orës 23:30, gardiani i shërbimit vërejti se Kareli prej një kohe të gjatë nuk jepte shenja jete. Në pamjet e kamerave të sigurisë, i dënuari dukej se nuk ka qenë i qetë në momentet përpara se të jepte frymën e fundit. Kamerat e tregojnë 40 vjeçarin që teksa shtrihet në shtrat, merr frymë thellë e me vështirësi. Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e hetimeve të menjëhershme rreth kësaj ngjarjeje. 

 

Ngjarja

I burgosuri shqiptar në Greqi, Ilia Kareli është gjetur i vdekur në qelinë e tij. Gjatë të martës, shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm goditi me thikë një nga gardianët e burgut në shenjë proteste, meqë autoritetet nuk i jepnin leje të takonte nënën e sëmurë. Mediat greke kanë raportuar se rojet e burgut e kanë gjetur të vdekur pas mesnate në burgun e Nigritës në Serres, 30 km larg Selanikut, në qelinë e izolimit ku e kishin çuar të enjten në mbrëmje pas vrasjes që ai kreu. 

Ngjarja për të cilën i burgosuri shqiptar pushtoi faqet e mediave greke ditën e martë u regjistrua në burgun e Malandrinos. Gardiani që u godit me thikë nga shqiptari, humbi jetën më pas në spital. Ai ishte 45-vjeç, baba i dy fëmijëve dhe kishte të paktën 14 vjet përvojë pune. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/