Rrugën e fitores ndaj shijakasve e hapi Matias Lloci, i cili është ngjitur kështu në kuotën e 3 golave. Pas ndeshjes ai u shpreh se e lumturon më shumë rezultati përfundimtar se goli personal. “Është një fitore e pastër edhe e bukur. Asgjë nuk është rastësi, por punë dhe përkushtim e ndjenjë maksimale përgjegjësie nga të gjithë çunat. Ne do të ecim me ‘këmbë në tokë’, pa ndrojtje përballë çdo kundërshtari të radhës. Jam shumë i lumtur për golin, pasi tashmë po krijoj vazhdimësi në kampionat.

Por më vjen mirë që goli im shërbeu për të hapur rrugën e fitores, sidomos në këtë moment të vështirë që jemi. Shpresoj të bëj më të mirën në fushë për të ndihmuar Teutën dhe pas këtyre golave të vijnë edhe më shumë të tjerë. E dinim që përballë kishim një ekip të mirë, por e vlerësuam drejt. Për ne ishte ndeshje me rëndësi, na dha mundësinë të marrim pikët që na duheshin aq shumë. Pjesën e dytë e menaxhuam si duhet dhe në fund festuam. Ishim më të qetë dhe kjo bëri që të mos viheshim në vështirësi për të mos pësuar”, theksoi Lloci.