15-vjeçari i cili plagosi bashkëmoshatarin një ditë më parë në lagjen “18 Shtatori” të Gjirokastrës shumë pranë shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi” është arrestuar dhe po merret në pyetje në praninë e prindit, mbrojtësit ligjor dhe psikologut. Ndërkaq, 15-vjeçari i dëmtuar është jashtë rrezikut për jetën, sipas policisë.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, se një 15-vjeçar kishte dëmtuar bashkëmoshatarin e tij, me mjet prerës, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan të miturin, autor të dyshuar të plagosjes. Veprimet procedurale me këtë shtetas vijojnë të kryhen në praninë e prindit, mbrojtësit ligjor dhe psikologut. Ndërkaq, 15-vjeçari i dëmtuar është jashtë rrezikut për jetën”, sipas policisë.

Të dy 15-vjeçarët  janë parë duke debatuar para këtij akti në prani edhe të një tjetër vajze të mitur 13-vjeçare. Fillimisht u mendua se 13-vjeçarja e kishte plagosur me thikë djalin nga Tepelena që jetonte në konvikt në Gjirokastër dhe ishte nxënës i shkollës së mesme.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit pranë një njësie që shet fruta-perime. Gruaja që ishte duke sistemuar furnizimet ka dëgjuar fillimusht thirrjet e djalit të plagosur dhe më pas të qarën e vajzës 13 vjeç që kërkonte ndihmë për shokun e saj. I mituri u ndihmua nga kalimtarë të rastit pasi kishte gjakderdhje serioze nga plaga që ka marrë në pjesën e barkut.

Më tej po qytetarët kanë njoftuar policinë dhe ambulancën. Gjendja e 15-vjeçarit është e stabilizuar dhe goditja nuk i ka shkaktuar dëmtime të organeve vitale.

Besohet se konflikti mes të dy djemve kishte nisur më parë për shkak të vajzës 13 vjeç nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, e cila ishte dëshmitare e ngjarjes.