Ditën e Enjte, në datën 22 Shtator 2022 në ambientet e librarisë Redon në Durrës, u zhvillua promovimi i librave “Kanibalët Modernë” dhe “Medaljoni i Dyrrahut”, i dy autorëve durrsakë Ben Shehu dhe Pol Milo, në kujdesin e Shtëpisë Botuese 2M.
Gjatë promovimit moderatorja Teuta Dhima drejtoi bashkëbisedimin me dy autorët dhe me pjesëmarrësit në këtë promovim, ku diskutuan gjerësisht autorë dhe kritikë letrarë, si shkrimtari Shpendi Topollaj, poetja Eva Kacanja, studiuesi Fatmir Minguli, e të tjerë.
Autorët Pol Milo dhe Ben Shehu, si autorë të rinj durrsakë, ndanë eksperiencat në krijimtarinë e tyre, madje për romanin Medaljoni i Dyrrahut, u ngritën mjaft diskutime në nivelin e kritikës së mirëfilltë moderne, lidhur me strukturën e këtij romani të ri në letërsinë shqipe.
Ky promovim u zhvillua në kujdesin e veçantë të stafit të librarisë Redon me mikpritjen e ngrohtë tradizionale ndaj krijuesve të saj, si dhe të drejtueses së Bibliotekës Publike Durrës, Mirela Ylli.
Në fund të aktivitetit u bënë foto të përbashkëta midis pjesëmarrësve me autorët e të dy librave, si dhe u shpërndanë libra dhe autografë.