TIRANE – Lajmi i censurimit të tekstit të këngës patriotike "Xhamadani vija-vija" nga Ansambli i Ushtrisë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes ka shkaktuar dje bujë të madhe. Fakti që këngës himn të festimeve të 100-vjetorit e Pavarësisë i ishte hequr vargu "Sa e madhe është Shqipëria" ka lënduar jo pak një pjesë të mirë të opinionit publik, që u duk se nuk e kapërdinte dot faktin që një institucion shtetëror censuron këngën, e cila bashkon shqiptarët. 
"Gazeta Shqiptare" ka kontaktuar dje dy krijuesit e këtij hiti, kompozitorin Zef Çoba dhe tekatshkruesin Alfred Çapaliku. 
Të dy ata, në prononcimet e tyre, bëjnë me dije se versioni origjinal i këngës është ai i vitit 1993. Nga ana tjetër, nuk harrojnë të shtojnë se përgjatë këtyre 20 viteve versionet e saj kanë qenë të shumta, çka nënkupton se edhe vetë teksti ka pasur ndryshime. Nga deklaratat e tyre saktësojmë se kënga e krijuar rreth dy dekada më parë, në fillimet e saj nuk shprehej "Sa e madhe është Shqipëria"… 
 

Autorët

Çapaliku, studiues i njohur, thotë jo pak i irrituar nga debatet rreth çështjes se nuk mban përgjegjësi për këto që ndodhin. "E kam shkruar para 20 vitesh dhe mund të mos e kujtoj si duhet. Mund të them vetëm se versioni origjinal i këngës është ai i interpretuar nga Shkurte Fejza në vitin 1993", – deklaron tekstshkruesi. Sipas tij, çdo interpretim i mëvonshëm që i është bërë kësaj kënge nga artistë të ndryshëm i kanë sjellë asaj diçka të re. "Unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi për ndryshimet që i janë bërë here pas here, sepse kushdo që e ka interpretuar i ka shtuar ndonjë element, i ka ndryshuar ndonjë gjë". 
I të njëjtit qëndrim është edhe kompozitori Zef Çoba. "Kam qenë unë që i kam dërguar Ansamblit të Ushtrisë partiturën dhe tekstin origjinal të këngës 'Xhamadani vija-vija'. As ansambli, as Ministria e Mbrojtjes nuk e ka censuruar këngën sikundër po thuhet", sqaron Çoba. Për ta vërtetuar këtë, ai këshillon që kushdo që ka dyshime mund të kërkojë në "Youtube", versionin e parë të 'himnit' interpretuar nga Shkurte Fejza. "Në 'YouTube' gjendet videoja e këngës si është kënduar ajo para 20 vitesh. Në të nuk thuhet, 'Sa e madhe është Shqipëria' në refren, por thuhet 'është Kosova, është Shqipëria'. Së fundmi versionet në të cilat ajo këndohet janë të ndryshme, thuhet 'është Kosova, është Çamëria', por ne e krijuam ndryshe. Dua të them se kënga nuk është censuruar, përkundrazi ajo u interpretua në versionin origjinal", shprehet kompozitori Zef Çoba. Ai shton se, në atë kohë nuk qe parë e arsyeshme të thuhej sa e madhe është Shqipëria, sepse dihej sa ishte ajo. "Kënga ka etnos, vlerëson çiftelinë, lahutën, pra trashëgiminë tonë. Shqipëri nuk është vetëm toka, janë vlerat, janë traditat dhe këto kanë një rëndësi të madhe. Ndjej dhimbje kur shoh se ka kësi lloj mediokritetesh. Vargu 'sa e madhe është Shqipëria' është shumë provokues dhe ne nuk kemi nevojë për provokime, por për vlera". Koncerti në fjalë titullohej "Një shekull këngë dhe marshe patriotike" është organizuar nën kujdesin e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Të pranishëm në këtë veprimtari ishin ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, deputetë, gjeneralë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, ushtarakë dhe punonjës të FA, përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe qytetarë të kryeqytetit. 
 

Ngjarja

Gjatë ditës së djeshme u publikua në media lajmi se Ansambli i Ushtrisë Shqiptare ka censuruar këngën patriotike "Xhamadani vija-vija", duke i hequr një nga pjesët më emblematike të saj, pikërisht: "Sa e madhe është Shqipëria". "Gjithçka ka ndodhur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në një koncert zyrtar për nder të themelimit të 100-vjetorit të ushtrisë, në sallën e Pallatit të Kongreseve. Ky fakt, kaloi pa u vënë re, por gjithçka bëri bujë falë internetit, pasi videoja është shpërndarë në 'YouTube' dhe ka bërë xhiron e botës", thuhej në media. Teksa u konsiderua si tronditëse, sqarohej se këngës së kompozuar nga Zef Çoba, me tekst të Alfred Çapalikut, i qe ndryshuar fraza e refrenit: "Xhamadani vija-vija, sa e madhe është Shqipëria" me vargun "Xhamdani vija-vija, është Kosova, është Shqipëria".