Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e 78-vjeçarit në Bulgarec. Mësohet se trupi i pajetë i Gëzim Vijes u gjet mëngjesin e së enjtes nga punonjësi i postës, i cili shpërndan pensionet. Ai e ka thirrur 78-vjeçarin për të dalë dhe kur nuk ka marrë përgjigje ka njoftuar fqinjët e tij dhe më pas kanë hapur derën e shtëpisë, ku në një prej dhomave gjendej trupi i pajetë i të moshuarit.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka konstatuar se 78-vjeçari kishte një plagë të thellë në kokë, e shkaktuar me mjet të fortë, çfarë i ka sjellë vdekjen. Dyshohet se autori dhe viktima janë përleshur para se i moshuari të qëllohej për vdekje me mjet të fortë.

Policia dhe ekspertët janë kthyer sot në vendin e ngjarjes, ndërsa ende nuk është gjetur mjeti me të cilin u krye vrasja.

Vazhdon marrja në pyetje e familjarëve dhe të afërmve të viktimës.