Pas 3 muajsh në arrati ka rënë në prangat e policisë, Kid Kazazi, 30 vjeç, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

30-vjeçari ishte i shpallur në kërkim për vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje më 30 maj të këtij viti, pas një ngjarje kriminale të regjistruar në Durrës.

Në pranga ra dhe një 31-vjeçar Ferhat Kaja, pasi dyshohet se ka përkrahur dhe ndihmuar 30-vjeçarin të fshihej.

Kazazi ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

30-vjeçari, me datë 30.05.2025, në Fllakë, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti ku udhëtonin 3 shtetas, në tentativë për të vrarë Arbër Goreja, 36 vjeç.

Në momentin e ndalimit 30-vjeçari i ka paraqitur punonjësve të policisë dy dokumente identifikimi (kartë Id dhe leje drejtimi) me të dhënat e një shtetasi tjetër, të dyshuara të falsifikuara. Ndërsa, gjatë kontrollit fizik 31-vjeçarit i gjetën një sasi municioni luftarak.