Në një stadium të mbushur me rivalitet, Teuta arriti një nga fitoret më të rëndësishme të këtij sezoni, falë golit vendimtar të Mario Beshirajt në Shkodër. Sulmuesi durrsak u shndërrua në protagonistin kryesor të triumfit ndaj Vllaznisë, duke i dhënë ekipit jo vetëm tre pikë të arta, por edhe një injeksion të fuqishëm vetëbesimi për sfidat e ardhshme.Me moralin në ngritje dhe me Elbasanin që troket në derë, Beshiraj rrëfen emocionet e golit, atmosferën në skuadër dhe pritshmëritë për duelin e radhës.
Mario, së pari urime për golin e rëndësishëm që i dha Teutës fitoren në Shkodër. Si ishte ai moment për ty?
Faleminderit! Ishte një ndjesi fantastike. Në ato sekonda nuk mendon shumë, thjesht reagon. Kur pashë topin në rrjetë, më erdhi një shpërthim emocionesh. Ishte gol i rëndësishëm, aq për ekipin sa edhe për mua personalisht.
A e ndjeje që mund të bëheshe protagonist në një ndeshje kaq të vështirë?
Të them të drejtën, në çdo ndeshje hyj për të dhënë maksimumin. Por në Shkodër situata ishte e ngarkuar, ndeshja e fortë, dhe e dija që rasti mund të vinte vetëm një herë. Fatmirësisht e shfrytëzova.
Si e përjetoi skuadra këtë fitore ndaj një rivali si Vllaznia?
Fitorja ishte shumë e vlefshme për moralin. Ishim të uritur për rezultat pozitiv dhe kjo u pa në fushë. Në dhomat e zhveshjes atmosfera ishte fantastike, të gjithë e ndjemë se arritëm diçka të madhe.
Duke parë këtë rezultat, mendon se Teuta është në një moment rritjeje?
Po, absolutisht. Jemi bërë më të bashkuar, më të qartë në idetë e lojës dhe po reagojmë si grup. Këto fitore na japin vetëbesim.
Çfarë prisni nga ndeshja e radhës me Elbasanin?
Nuk ka ndeshje të lehta. Elbasani është ekip i organizuar dhe vjen gjithmonë me ambicie. Por ne do të jemi të fokusuar, sidomos pas kësaj fitoreje që na motivon edhe më shumë.
Cili mendon se do të jetë çelësi i suksesit për Teutën në këtë duel?
Disiplina. Nëse mbajmë ritmin dhe përqendrimin që patëm me Vllazninë, jam i bindur se do të marrim rezultatin që duam.
Personalisht, si po e përjeton këtë moment të sezonit?
Ndihem mirë, i lirshëm në fushë dhe i motivuar për të dhënë akoma më shumë. Goli më jep energji shtesë, por e rëndësishme është që të vazhdoj me punë dhe përulësi.





