Pas barazimit dramatik të Teutës ndaj Vorës, ku gjithçka u vendos në minutat e fundit, protagonisti i ndeshjes ishte Xhoele Maçolli. Mesfushori i durrsakëve realizoi golin e barazimit në minutën e 111-të nga pika e penalltisë, duke shpërthyer në emocion dhe duke ia dedikuar golin familjes së tij, i cili së fundmi është bërë xhaxha. Në këtë intervistë, Maçolli flet për emocionet e atij momenti, rëndësinë e rezultatit dhe përgatitjet për sfidën e radhës ndaj Vllaznisë.
Xhoele, barazim dramatik ndaj Vorës dhe gol në minutën e 111-të nga pika e bardhë. Si e përjetove atë moment?
Ishte një moment shumë emocional. Deri në fund besuam se mund ta barazonim ndeshjen dhe kur erdhi penalltia, mora përgjegjësinë me qetësi. Ishte shpërblim për këmbënguljen e ekipit deri në sekondën e fundit.
Sa i rëndësishëm ishte ky gol për ekipin dhe për ty personalisht?
Për ekipin ishte shumë i rëndësishëm, sepse na mban gjallë dhe na jep moral. Personalisht, është një gol që do ta mbaj mend gjatë, jo vetëm për minutën kur u shënua, por edhe për domethënien që pati.
Goli erdhi me një dedikim të veçantë për familjen tënde. Çfarë mund të na tregosh më shumë?
Po, ishte një dedikim shumë i veçantë. Jam bërë xhaxha dhe ky gol ishte për ta. Janë gjithmonë pranë meje, më mbështesin në çdo hap dhe doja t’ua ktheja sadopak këtë mbështetje.
Si e vlerëson paraqitjen e Teutës në këtë ndeshje ndaj Vorës?
Mendoj se treguam karakter. Kishim momente të vështira, por nuk u dorëzuam. Kjo tregon se skuadra ka shpirt luftarak dhe dëshirë për të marrë rezultate pozitive.
Tashmë vëmendja shkon te ndeshja e radhës me Vllazninë. Çfarë prisni nga ajo përballje?
Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Vllaznia është një kundërshtar i vështirë, por ne do të përgatitemi maksimalisht. Synimi ynë është të luajmë mirë, të jemi të përqendruar dhe të marrim një rezultat pozitiv.





