Pas ndeshjes teksa ka festuar gjatë edhe në fushë, edhe në dhomat e zhveshjes me shokët dhe drejtuesit e skuadrës së Teutës, ka marrë madje shumë përgëzime prej tyre. Artan Jazxhi tregon se telefonatën e parë për golin dhe fitoren që i dha Teutës ndaj Egnatias, ia ka bërë mamaja e tij. “Të lumtë bir, na nderove”, ka thënë ajo shkurt. Jazxhi më tej tregon se duke qenë se vjen pas një kohe të gjatë rikuperimi nga dëmtimi që ka kaluar, e gëzoi shumë goli dhe fitorja. “Më lumturon ky rikthim me tri pikët e para. Pikërisht në një ndeshje të vështirë, shumë të vështirë madje, ndaj Egnatias. Kisha shënuar edhe në Laç në ndeshjen startuese, madje ai ishte goli im i parë në karrierë, por duke humbur në atë takim 1-3 sigurisht ai gol u harrua shpejt.

Ndryshe ndodhi dhe tjetër peshë pati ky gol ndaj rrogozhinasve që kam përshtypjen se tani do të qëndrojë gjatë në memorien time, – thotë qendërmbrojtësi shtatlartë. “Gjatësia ime trupore them se është arma më e fortë. Kam shumë besim se do t’i shërbej edhe më shumë ekipit si në mbrojtje ku aktivizohen në rolin tim natyral, ashtu edhe kur do të më jepet mundësia të dal përpara. Shpresoj të më mirëkuptojnë dy sulmuesit tanë, Hebaj e Gruda, e të mos bëhen ‘xhelozë’ se hyra në mes të tyre në fitoren në Rrogozhinë…(qesh). Ata pa diskutim që kanë shumë talent e aftësi dhe jam i bindur se në ndeshjet e tjera do të shënojnë e do ta ndihmojnë më shumë Teutën që të ngrihet edhe disa pozicione të tjera në renditje e të shkojë në vendin ku i takon”, mbylli Artan Jazxhi prononcimin e tij.