Pas arrestimit nga policia e Kosovës, në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit, Granit Plava ka deklaruar edhe shumën sa u pagua nga bashkëshorti i të ndjerës për të kryer krimin.

Sipas burimeve të mediave në Kosovë, personi i dytë i arrestuar i cili edhe ka pranuar veprën, ka deklaruar se Naim Murseli ia ka dhënë 30 mijë euro për ta kryer aktin e vrasjes. Një pjesë e shumës i ishte dhënë Granitit, ndërsa ai dhe Naimi ishin pajtuar që pjesa tjetër e borxhit të paguhej më vonë.

Naim Murseli dhe Granit Plava janë arrestuar në fshatin Rakovinë të Gjakovës.

Granit Plava dyshohet të jetë nga fshati Cerrmjan, nga ku vinte edhe viktima, Liridona Murseli.

Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se hetime intensive janë duke u zhvilluar në Gjakovë. “Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë” ka bërë të ditur policia.

Ata janë të dyshuar për vrasje në bashkëpunim dhe inskenim i grabitjes. Liridona Murseli është vrarë me armë zjarri në orët e para të mbrëmjes së 29 nëntorit derisa kishte qenë në makinë bashkë me burrin e saj dhe dy fëmijët. Sipas versionit fillestar të burrit të saj, atyre u ishte bërë pritë nga grabitësit.