TIRANE, 23 shtator 2013 – Shtyhet për më 27 shtator gjyqi ndaj Dritan Dajtit, të akuzuarit për vrasjen e 4 oficerëve të skuadrës speciale operacionale në vitin 2009.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mungesa e avokatit mbrojtës ndërsa vetë i pandehuri Dajti ka akuzuar sërish policinë dhe prokurorinë për njëanshmëri.
“Do të hap “Kutinë e Pandorës” në lidhje me akuzat ndaj Arjan Muçës. I kërkoj trupit gjykues një procesverbal të librit të armatimit të policiës. Kam të dhëna që efektivi i vrarë Fatos Xhani ka marrë në dorëzim një armë dy muaj pas vdekjes së tij”- ka theksuar Dajti.
Ndërkohë trupi gjykues ka theksuar se Dritan Dajti duhet të bëjë kërkesë me shkrim pranë gjykatës në lidhje me librin e armatimit.
Dritan Dajti akuzohet se më 7 gusht 2009, ekzekutoi efektivët e policisë, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Fatos Xhani dhe Kastriot Feskaj, pjesë e skuadrës speciale operacionale, të cilët tentuan ta arrestonin të shumë kërkuarin.





