TIRANE, 27 qershor 2013 – Në minutat kur Shqipëria ishte në ‘ethet’ e rezultatit të zgjedhjeve të 23 qershorit, Dritan Dajti nuk hezitoi të jepte sinjalet e para se do të thyente heshtjen dhe të rrëfente të vërtetën e masakrës së 7 gushtit 2009 në Durrës. I akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të skuadrës speciale operacionale ftoi familjarët e “Dëshmorit të Atdheut”, Saimir Duçkollari, të vijnë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, për të mësuar të vërtetën se kush u vrau të afërmin e tyre, duke lënë të nënkuptohet se nuk është ai ekzekutori i babait të dy fëmijëve.
Dajti kishte paralajmëruar se do të fliste për masakrën e rëndë, pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe duket se tashmë është mëse i vendosur të tregojë sipas tij të vërtetën. Dritan Dajti u bëri thirrje gjykatësve të japin dorëheqjen nga çështja e tij, duke u kujtuar jo pa ironi, se personi tek i cili kishin kërkuar mbrojtje për jetën e tyre dhe të familjes, ishte përgjegjës dhe për jetën e katër oficerëve të vrarë.
“Kërkoj që gjykata të japë dorëheqjen, në kushtet kur gjykata ka mosmarrëveshje me të pandehurin. Në rastin në fjalë, mosmarrëveshja është që nga Gjykata e Krimeve të Rënda, i është dërguar një shkresë Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes së Gjyqtarëve, që për pesë gjyqtarët të sigurohet mbrojtje fizike nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, pasi u rrezikohet jeta atyre dhe familjarëve të tyre. Uroj që ky proces të shkojë mirë e të jetë korrekt, për më tepër kur Drejtori i Mbrojtjes së Dëshmitarëve është Arjan Muça, dëshmitar në këtë proces, i cili drejtonte operacionin dhe kishte për-gjegjësi për jetën e agjen-tëve. Uroj të mos ndodhë e njëjta gjë”, kërcënoi Dajti. Vetëm një seancë më parë, i cilësuari si autor i masa-krës së Durrësit, kishte paralajmëruar se do të hapte kutinë e Pandorës dhe të rrëfente disa të vërteta.
Kur u pyet dje nga prokurori “Po, kutia e Pandorës? Dajti jo pa ironi ju përgjigj: “Meqë u përmend kutia e Pandorës, audienca nuk është e vëmendshme, pasi po merret me zgjedhjet. Do të ishte mirë që familjarët e Saimir Duçkollarit të ishin të pranishëm në seancën tjetër, të marrin vesh kush e vrau Saimir Duçkollarin”. Seancën e radhës pritet të shihet reagimi i Dajtit dhe lëvizjet që ai do të bëjë, pasi deri më tani ka ndjekur një strategji të qartë për bllokimin e procesit. Madje, një seancë më parë, ai kërcënoi gjykatësit me jetën e tyre dhe të familjes, pasi i akuzonte se ishin pikërisht ata që kishin tradhtuar shoqërimin në komisariat të kushëririt të tij. Gjyqi ndaj Dajtit është futur në ngërç prej afro dy vitesh dhe për mungesë të avokatëve mbrojtës të caktuar kryesisht nga gjykata, nuk zhvillohet, duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare.





