Arbër Kote, autori i vrasjes së Idajet Dullës është penduar për krimin e rëndë që ka kryer. Para oficerëve të policisë ai ka deklaruar se sherri ka nisur për një parkim të gabuar të makinës. Ai ka treguar se viktima e ka fyer dhe qëlluar me grushte disa herë dhe për vetëmbrojtje ka nxjerr thikën dhe e ka qëlluar.
“I kërkova të më lironte rrugën sepse kishte parkuar keq, ai reagoi shumë ashpër. Më fyeu dhe më qëlloi me grushte. Për vetëmbrojtje nxora thikën dhe e qëllova pasi më goditi disa herë. Jam penduar që lejova që konflikti të përshkallëzonte, pasi duhet ta kisha toleruar. Por më fyeu dhe shau shume keq”, ka thënë Kote para grupit hetimor.
Arbër Kote është djali i Astrit Kotes, ish-drejtor burgu dhe përfaqësues i LSI-së në Durrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme në qytetin e Durrësit. Viktima Idajet Dulla u konfliktua me Arbër Kote për zënien e rrugës nga automjeti i tij. Pas zënkës, Arbër Kote ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në zemër të riun, duke e lënë të vdekur në vend. Idajet Dulla u gjet në rrugë nga familjarët e tij, të cilët e transportuan menjëherë në spital, por ai vdiq. Dulla ishte i martuar dhe la pas dy fëmijë jetim. Autori i krimit të rëndë u arrestua mëngjesin e sotëm.





