Ai ishte një prej marinarëve jetëgjatë, që preku me anijen e tij me dhjetëra porte e qindra qytete të botës. Në çdo njërin prej udhëtimeve të tij, Ylli Bare përjetoi emocione e mbresa të pashlyeshme, të cilat i ka hedhur në tregimet e tij mbi botën e mbi shpirtin e lirë.

Durrsaku Ylli Bare së fundi ka botuar librin me tregime “Berberi i Stambollit” që është libri i 5-të që ka shkruar, nga seriali i madh i pritshëm me tre mijë tregime në total.

Ky libër është një shtegtim artistik i autorit, që pasi ka lënë lundrimin në det si kapiten anijesh tregtare, nuk sjell më mallra ne Durrës, por mbresa artistike të shumta nga vendet ku ai ka shkelur. Erudit në kulturë dhe i vëmendshëm ndaj detajeve të gjërave spikatëse gjatë udhëtimeve të tia, Bare sjell për lexuesin e shumtë episode të qarta në një stil elegant. Bare ka shkruar shumë dhe boton shumë. Janë rreth 3000 tregime që ai ka shkruar dhe ky numer rritet çdo ditë.  

Lidhur me krijimtarinë e tij, Bare tregon edhe detaje përqasëse me letërsinë e madhe botërore. Shkrimtarët e tij të zemrës prej të cilëve është frymëzuar që fëmijë e do sadopak t’u ngjasojë janë personalitetet franceze të letërsisë botërore Viktor Hygo dhe Balzak.   

K.H.