Qindra ushtarë dhe efektivë policie kanë pushtuar rrugët kryesore në disa qytete të Ekuadorit ndërsa vendi po kalon një prej situatave më të paprecedenta të shkaktuara nga dhuna e bandave kriminale.
Persona të armatosur të maskuar sulmuan një studio televizive gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në qytetin e Guayaquil ndërsa bomba u shpërthyen në të gjithë Ekuadorin të martën.
Më shumë se 130 punonjës të burgjeve po mbahen peng nga të burgosurit në pesë burgje. Një gjendje e jashtëzakonshme 60-ditore filloi të hënën pasi kreun i një karteli famëkeq u zhduk nga qelia e tij e burgut.
Është e paqartë nëse sulmi në studion televizive në qytetin më të madh të Ekuadorit lidhej me zhdukjen e bosit të bandës Choneros, Adolfo Macías Villamar ose Fito, siç njihet më mirë.
Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme si përgjigje ndaj një vale të trazirave të fundit në burg dhe arratisjeve nga burgjet dhe akteve të tjera të dhunës që autoritetet fajësojnë bandat kriminale.
Disa orë pas sulmeve policia ka bërë 70 arrestime, duke përfshirë edhe personat që kryen sulmin ndaj stacionit televiziv.
Rrugët kryesore të qyteteve raportohet se janë thuajse bosh, ndërsa qindra ushtarë, disa prej tyre edhe me tanke po patrullojnë rrugët e Guayaquil dhe kryeqytetit, Quito.
Në të gjithë vendin, shkollat janë mbyllur dhe mësimi po zhvillohet online. Kina, një investitor i madh në Ekuador, gjithashtu njoftoi se po mbyllte përkohësisht ambasadat dhe konsullatat e saj.