Autoriteti Italian i Aviacionit Civil ka njoftuar për pezullimin e licencës së kompanisë “Ernest”, duke filluar nga 13 janari 2020.
Kompania po operon me kapacitet të kufizuar në avionë dhe staf operues. Kjo situatë ka sjellë edhe anulime dhe ri-skedulime të fluturimeve, por jo deri në pikën e ndalimit total të fluturimeve.
Autoriteti shqiptar i Aviacionit Publik (AAC) u rekomandon udhëtarëve:
– Duke qenë se kompania ende ka një licence aktive nga autoriteti italian deri më 13 janar 2020, udhëtarët duhet të marrin masat që deri në këtë datë të lidhen në telefon me shërbimin e klientit të kompanisë dhe/ose agjencinë ku kanë prerë biletën dhe të përpiqen të sigurojnë një vend në fluturimet që kompania po kryen.
– Nëse udhëtarët nuk e kryejnë dot fluturimin me “Ernest” dhe zgjedhin të presin një biletë me një kompani tjetër, u rekomandohet të bëjnë kërkesën për rimbursim dhe kompensim nëpërmjet sistemit të kompanisë në faqen e tyre në internet.
– Kërkesën për rimbursim duhet ta bëjnë edhe udhëtarët që kanë prerë bileta përtej datës 13 janar 2020.
– Është shumë e rëndësishme që udhëtarët të bëjnë kërkesat për rimbursim dhe kompensim si i vetmi mekanizëm mbrojtës në dispozicionin e tyre sipas ligjit të BE-së.
– Në lidhje me rimbursimet dhe/ose kompensimet, udhëtarët këshillohen të zbatojnë udhëzimet që do të dalin në vijim nga autoriteti italian dhe/ose entitete të tjera shtetërore në vendin fqinj.
AAC-ja po ndjek situatën e kompanisë italiane “Ernest” dhe do t’u kërkojë në vazhdimësi kompanisë dhe autoriteteve italiane garantimin e respektimit të të drejtave të udhëtarëve të prekur, si autoriteti përgjegjës për licencimin e kësaj kompanie.
AAC-ja, në përputhje me legjislacionin evropian dhe shqiptar, që rregullon të drejtat e udhëtarit, në një situatë sikurse po kalon kompania italiane, do të publikojë rast pas rasti informacione të përditësuara me qëllim që të ndihmojmë udhëtarët në vendimmarrjet e tyre.





