Autoriteti Portual Durrës ka hapur sot tenderin me vlerë rreth 1.1 milionë euro/ 138 milionë lekë për rehabilitimin e shesheve tranzitore në port.

Ndërhyrja do të përqendrohet në dy nga zonat me të mëdha të pashfrytësuara; zonën e parë, në afërsi të rrethrrotullimit të aksit hyrës/dalës kryesor dhe zonën e dytë në afërsi të portës nr.4 (sheshi i ri tranzitor).

Me këtë projekt realizohet rikonceptimi i shesheve tranzitore, shtohen sipërfaqet e reja pranë vendndodhjes së skanerit si dhe rehabilitohen sipërfaqet e pashfrytëzueshme.

“Me realizimin e ketij investimi, Autoriteti Portual kërkon të rrisë të ardhurat që vijnë nga sheshet e pa shfrytëzuar dhe të rrisë eficencën e përdorimit të atyre ekzistuese. Parashikohet që investimi të kenë impakt pozitiv në logjistikën brenda territorit portual dhe në të ardhurat ekonomike të Auotoritetit”,- shkruan APD në dokumentet e tenderit

Projekti parashikon që parkimi TIR të shtohet me sipërfaqe të reja, prishja e gërmadhave të godinave ekzistuese, reazizimin e një sipërfaqe për parkim në funksion të zyrave modulare, realizimi i një rruge të re për të lidhur sheshet e jahteve dhe të kantierit detar, si edhe pastrimin dhe reahabilitimin e shesheve ku janë të instaluar depot e vjetra të hidrokarbureve”,– shkruhet më tej në dokumentet e tenderit.

Kompanitë shqiptare dhe ato ndërkombëtare të interesuara për të marrë pjesë në tender kanë afat deri më 16 gusht për të dorëzuar ofertën e tyre dhe dokumentet përkatëse.

APD ka specifikuar në dokumentet e tenderit disa kritere të veçanta për kompanitë që do të marrin pjesë që nisin nga kapaciteti ekonomik dhe teknik, stafi, mjetet e rënda në pronësi apo të marra me qira, por edhe marrëdhënie kontraktuale me një mjek të përgjithshëm dhe një ekspert privat zjarrfikës etj.

M.B.