3 tendera në 24 orë. Autoriteti Portual Durrës nuk i ndal prokurimet publike, pavarësisht se tashmë trualli prej rreth 80 ha i ka kaluar në pronësi Ministrisë së Financave, ndërsa pritet nisja e zbatimit të projektit të marinës turistike.

Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik janë publikuar më datë 29 gusht 3 tendera me vlera të ndryshme, ku më i larti është ai për “Suporte TIK” me vlerë rreth 21 milionë lekë të reja.

Më pas renditet tenderi për sinjalistikën portuale “Zbatimi i projektit të sinjalistikës në Portin e Durrësit”, me vlerë rreth 14 milionë lekë të reja.

Ndërsa tenderi me vlerën më të vogël është “Projekt, zbatim “Riparimi i perimetrit rrethues betonarme, riparimi perimetral dhe unifikimi i fasadave të godinave të APD-së” me vlerë rreth 8.5 milionë lekë.

Në total, brenda një dite APD tenderon 3 prokurime me vlerë totale rreth 44 milionë lekë.

Tenderat e fundit janë në vazhdën e prokurimeve të tjera, që për hir të së vërtetës kanë qenë të shumtë këtë vit, para që duket se do të shpenzohen kot, pasi projekti i marinës pritet t’i kthejë ato në nul.

Ditë më parë, gazetari i ekonomisë Klodian Tomori publikonte listën e prokurimeve të zhvilluara nga APD vetëm për 6 muajt e fundit, të cilat kapnin vlerën 10 milionë euro në total.

“Po vjedhin dhe gjërat e fundit që u kishin shpëtuar pa vjedhur, para se ta çojnë Portin për skrap.”,- shkruante Tomori.

Me sa duket 10 milionë euro në tendera nuk qenkan mjaftueshëm. 44 milionë lekë të tjerë apo rreth 370 mijë euro të tjera po bëhen gati për t’u përvetësuar në një kohë që kalatave portuale u ka mbirë bari!

Në një kohë që Autoriteti Portual Durrës rezulton debitori më i madh i bashkisë në shumën 15 milionë lekë të reja, fakt i deklaruar nga drejtori i Taksave, Luan Dajko, institucioni në fjalë zgjedh që në vend që të paguajë borxhet shpenzon miliona për investime që marina 2 miliardë euro do t’i zerojë.

M.B.