Nata e gjysmëfinales së spektaklit “The Voice of Albania” në “Top Channel” ka sjellë dhe përçarje të stafit. Shkak ka qenë pjesëmarrja e këngëtarit Ledri Vula, ku ka pasur një debat mes drejtorit artistik në “TCH”, Alban Male dhe autores së programit, Zefina Hasani.

 

Mësohet se autorja Hasani ka qenë kundër performancës së Ledri Vulajt në këtë spektakël. Ndërsa Male ka postuar edhe në Instagram një foto ku shkruan se, do të përshëndesë “live” Ledri Vula. Autorja e këtij programi, Zefina Hasani e ka e bërë publike mosdakordësinë e saj për ftesën që i është bërë Ledrit, duke e nisur shkrimin në një status në profilin e saj në Facebook, me kundërvënie të drejtpërdrejtë ndaj asaj çka kishte shkruar më parë Male. “Pa zë dhe me figurë”,  ka shkruar Zefina Hasani për Ledrin, pak përpara fillimit të gjysmëfinales, duke shpjeguar më pas dhe arsyet që ka ajo për mospëlqimin ndaj ftesës që i është bërë këngëtarit, për të qenë i pranishëm, si i ftuar special, në një spektakël ku i pari vlerësohet zëri.

 

“Ledri pa zë, veç me figurë. Në audicionet e hapura, ku prisnim e dëgjonim zërat e të gjithë aplikantëve, që synonin të bëheshin pjesë e “The Voice of Albania 5”, ndodhte shpesh që të vinin ta provonin shansin me këngët e Ledri Vulës.

 

Ishim kategorikë për të mos i lejuar, sepse ato këngë s’ta nxjerrin dot në pah zërin. Jam e sigurt që edhe ai vetë po të vinte në “The Voice”, ata, butonët e kuq nuk do të ishin ndezur për të. E megjithatë ja ku vjen një ditë që Ledri vjen si i ftuar special në natën gjysmëfinale të “The Voice of Albania 5”, sigurisht me këngët e tij që s’kanë nevojë hiç për zë”, shkruan mes të tjerave Zefina Hasani, që mësohet se është larguar.

 

Në një reagim tjetër të saj, ajo thotë se arsyet për largimin e saj janë parimet dhe profesionalizmi, ato duhen respektuar. “Atje s’ka më rregulla dhe unë vendosa të ruaj emrin e profesionalizmin tim. Nuk lejoj askënd të shkelë parimet dhe emrin tim”, ka thënë Zefina.