Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro, ka folur ditën e sotme për problematikën e autostradës Tiranë – Durrës. Amortizimi i tejskajshëm i saj është pranuar nga drejtori Qëndro, i cili e justifikon këtë me faktin se autostrada ishte projektuar për të përballuar qarkullimin e rreth 23 mijë mjeteve në ditë, ndërkohë që aktualisht atë e përshkojnë deri në 50 mijë automjete.

“Realisht kemi një gjendje jo të mirë teknike të aksit Tiranë-Durrës. Kjo vjen për disa arsye. Kemi një aks të ndërtuar disa vite më parë. Ka qenë i ndërtuar për një numër të caktuar mjetesh që kalojnë në të. Ka qenë afërsisht diku tek 23 mijë mjete. Nga matjet që kemi bërë ne në këtë aks rrugor qarkullojnë rreth 47-50 mijë mjete në ditë. Kjo është e para. E dyta ky është aksi më i ngarkuar në trafik pothuajse në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Nga ana tjetër në të gjithë këto vite që pas ndërtimin të saj ka pasur vetëm mirëmbajtje rutinë. Nuk ka pasur rehabilitim i cili ka qenë i domosdoshëm për mënyrën sesi funksionon ky aks dhe për të gjithë problematikën që kemi”,- thotë drejtori Qëndro.

Drejtori Qëndro flet edhe për projektin që me ndihmën e Bankës Botërore do të realizojë rehabilitimin e këtij aksi mjaft të rëndësishëm. Sipas tij, projekti rehabilitues do të garantojë për 10 vite një segment rrugor brenda të gjithë parametrave teknikë të sigurisë.

“Aksi Tiranë-Durrës është pjesë e kontratës së mirëmbajtjes me performancë që Autoriteti Rrugor ka gati një vit ka lidhur në bashkëpunim ne Bankën Botërore. Ne kemi realizuar të gjitha matjet mbi gjendjen teknike, për gjendjen e shtresave siç i parashikon kontrata. Kemi hartuar një projekt rehabilitues si pjesë të kontratës i cili na jep ne garancinë për 10 vjet që kjo rrugë do të jetë në kushtet që kërkon kontrata. Ky projekt është hartuar, ka pak ditë që është në duart e supervizionit të kontratës ose konsulentit monitorues siç quhet në rastin konkret”,- tha ai.

Pavarësisht se aksi në fjalë përshkohet çdo ditë nga dyfishi i numrit të mjeteve që ishte parashikuar në projektin fillestar, drejtori Qëndro thotë se tani për tani nuk po mendohet për zgjerimin e këtij aksi.

“Nuk parashikohet zgjerim, këto dy korsi, është me dy plus dy. Rehabilitimi konsiston në riparimin e shtresave të paketës asfaltike në sinjalistikë dhe në të gjithë elementët e tjerë. Nuk bëhet fjalë për zgjerim”,- deklaroi drejtori i ARRSH-së.

M.B.