DURRËS, 2 korrik 2013 – Autostrada e re Elbasan-Durrës do të lehtësonte mundësinë e përdorimit nga kompanitë maqedonase të portit kryesor shqiptar të Durrësit, nga i cili do të hyjnë në tregjet evropiane e botërore, shkruan Miki Trajkovski për Southeast European Times në Shkup, duke cituar biznesmenë nga fqinji lindor.

Zyrtarë vendorë dhe tregtarë maqedonas thonë se autostrada e re e sapohapur prej 27 kilometrash në Shqipëri nga Elbasani në Tiranë do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit kufitar Shqipëri-Maqedoni.

Autostrada do të lehtësojë komunikimin ndërmjet kompanive maqedonase e shqiptare, do të rrisë mundësinë për hapjen e bizneseve të reja dhe pritet të ndikojë në tregtinë mes Shkupit dhe Tiranës.

Udhëtimi nga kufiri maqedonas në Tiranë më parë zgjaste dy orë, por tani zgjat vetëm një orë, duke përdorur autostradën e re.

Mendi Cira, pronar i kompanisë së ndërtimit të Strugës “Trim & Lum”, tha për SETimesse rruga e re do të çojë në shtimin e biznesit për firmën e tij në Shqipëri.

“Për ne nënkupton shtim kontaktesh me palën tjetër. Do të na mundësojë si tregtarë nga Maqedonia të investojmë në Shqipëri e ata të investojnë këtu, kështu që interesi është i përbashkët. Deri tani kishim probleme me komunikimin me Tiranën, sepse rruga ishte shumë e keqe. Rrugë të mira gjithnjë stimulojnë edhe biznesin”, tha Cira.

Autostrada do të përshpejtojë mundësinë e përdorimit nga kompanitë maqedonase të portit kryesor shqiptar të Durrësit, nga i cili do të hyjnë në tregjet evropiane e botërore.

“Në drejtim të Durrësit po ndërtohet një rrugë e re, e cila do të lehtësojë mundësinë e përdorimit të portit. Autostrada do të jetë nga Elbasani në Durrës, por kjo do të funksionojë për të gjithë derisa ajo të jetë në përdorim”, tha Cira.

Kryetari i bashkisë së Strugës Zijadin Sela tha për SETimes se përmirësimi i infrastrukturës do të sjellë zhvillim e investime në rajon e përtej.

“Tashmë kam qenë në autostradë dhe është një punë e madh që u bë atje. Të shkosh nga Elbasani në Tiranë brenda vetëm 20 minutash është mrekulli dhe kjo do të nënkuptojë zhvillimin e të gjithë këtij rajoni. Duke hapur rrugë, jemi duke hapur edhe zhvillimin ekonomik”, tha Sela.

Nikola Gjurgjaj, president i shoqatës maqedonase etnike Ilinden në Tiranë, tha se banorët e rajonit e kanë pritur autostradën prej vitesh.

“Nëpërmjet kësaj autostrade prodhimet maqedonase do të vijnë më pranë portit në Durrës. … Nëpërmjet Durrësit prodhimet maqedonase do të kenë shansin që të shkojnë në një mënyrë më të lehtë tek tregjet e tjera”, tha Gjurgjaj për SETimes.

Për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, rruga do të lehtësojë lidhjet me miq e familje përtej kufirit.

“Kemi shumë të afërm e miq në Shqipëri, të cilët i vizitojmë tashmë shumë më shpesh sesa më parë. Gjithashtu përdorim aeroportin e Tiranës më shpesh sesa më parë, i cili është shumë më afër sesa ai në Shkup. Për të shkuar në Tiranë tani na duhet një orë e për në Shkup tre orë”, tha për Fadil Shakiri, banor i Strugës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/