25 qershor 2015 – Miliona lekë u shpenzuan për rikonstruksionin e autostradës Tiranë – Durrës, në segmentin nga Kthesa e Kamzës në mbikalimin eRinasit.
U vendosën palma anës saj, lule në trafikndarëse, kufizuan shpejtësinë deri në 60 km/orë etj.
Ekspertët shprehën shqetësim për sigurinë në qarkullim, për shkak se autostrada humbi parametrat e sigurisë që kishte. Pavarësisht shpenzimeve, ky segment do të ndryshojë sërish.
Gazeta ‘Shqiptarja.com’ shkruan se një tender për studim-projektimin është zhvilluar për rehabilitimin e autostradës dhe se fitues është shpallur kompania italiane “SPEA INGEGNERIA EUROPEA S.P.A” . Fondi limit është 252.052.500 lekë, pa TVSH, ose 1.7 milionë euro dhe kohëzgjatja e kontratës është 13 muaj.
Sipas gazetës, është vendosur që kjo autostradë të zgjerohet dhe se një gjë e tillë do të nënkuptonte që palmat e vendosura anash saj janë diçka e përkohshme, ose do të spostohen për më tej.
Autoritetet e rrugëve sapo kanë nisur të largojnë këtej edhe disa “topa” betoni, që s’përputheshin me kërkesat e sigurisë rrugore”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





