Punimet për zgjerimin e 6 kilometrave të parë të autostradës Tiranë–Durrës janë drejt përfundimit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, inspektoi ecurinë e punimeve dhe bëri me dije se segmenti do të hapet plotësisht brenda javës së parë të muajit maj.

“E rëndësishme është që ne të theksojmë sot, që brenda javës së parë të muajit maj, ky segment në të cilën është punuar për zgjerimin e tij. Do jetë totalisht i hapur për qytetarët, duke krijuar kështu një ‘shfryrje’ të trafikut, në kuadër dhe të turizmit dhe të sezonit turistik që ne fillojmë…”– tha Karakaçi.

Gjatë inspektimit, ai u ndal te rëndësia e këtij aksi, i cili konsiderohet më i ngarkuari në vend, pasi përballon fluksin e mjeteve nga veriu, si dhe lidhjen me Aeroportin e Rinasit dhe Portin e Durrësit.

“Ky aks patjetër ka rëndësinë e vet, sepse së pari bën lidhjen e Portit të Durrësit, me aksin e Morinës dhe me pjesën e Kosovës. Ndërkohë siç e thashë po ashtu bën edhe lidhjen me pjesën e Veriut të Shqipërisë me hyrjen në Tiranë dhe bën një ‘shfryrje’ të trafikut drejt qytetit të Tiranës.”-shpjegoi ministri.

Në këtë segment po aplikohen teknologji të reja në asfaltim dhe autostrada do të ketë 3+1 korsi, sipas standardeve të përmirësuara.

Ndërkohë, punimet po vijojnë edhe në akset Kashar–Lekaj dhe në bajpasin e Tiranës, ku deri tani është realizuar rreth 20% e projektit.