13 prill 2014 – Para disa kohësh është ndarë nga jeta në moshën 73 vjeçare njëri nga legjendat e futbollit durrsak dhe atij kombëtar, Avdullah Duma, apo siç e njohin të gjithë dashamirësit e futbollit dhe durrsakët Dul Duma. Futbollisti i madh mbylli sytë fizikisht, por ajo që bëri ai për futbollin, talenti, shpirti, pasioni dhe sakrificat e tij për sportin nuk do t’i shlyhen kurrë nga kujtesa qytetarëve të Durrësit dhe sportdashësve në të gjithë Shqipërinë.

Pasioni për sportin që në moshë të vogël

Dul Duma lindi në 22 dhjetor të vitit 1935 në lagjen “Sefer Efendiu” të Durrësit. Që në moshë fare të re Dulin e karakterizonte pasioni dhe talenti për sportin dhe në fillimet e tij ai u angazhua në sportin e atletikës me vrapimet dhe më pas ai kaloi në sportin e futbollit duke u kthyer në një nga futbollistët më të mëdhenj shqiptarë. Kur filloi të luante futboll Duli ashtu si edhe shumë bashkëkohës të tij që më pas u bënë futbollistë me emër filloi të stërvitej tek ajo që quhej fusha e baltës, pranë ish fermentimit të duhanit, në Durrës. Veprimet me topin të këtij djali shumë të talentuar tërhoqën vëmendjen e shefit të klubit sportiv të Durrësit, Rexhep Gruda, i cili ja rekomandon Dul Dumën trajnerit të futbollit Faik Dervishi i cili ishte edhe trajneri i parë i Dulit. Pikërisht këtu nis karriera e Dul Dumës i cili filloi të luante në ekipet zinxhir të Durrësit e pikërisht me ekipin e të rinjve.

Angazhimi i tij me futbollin

Në vitin 1952 nga ekipi i të rinjve Duli kalon në ekipin e parë ku ishte trajner Tom Gjiri. Në atë kohë në skuadrën durrsake luanin emra të tjerë që do të spikatnin në futbollin durrsak si Met Myshku, Raq Manushi, Mile Qoshja, Nazmi Bruti etj. Në vazhdim të karrierës së tij të shkëlqyer Duli luan edhe me futbollistë të tjerë të mëdhenj që lanë gjurmë në futbollin durrsak si Petraq Konomin, Niko Bespallën, Nazmi Maxhunin, Feti Golashin e shumë të tjerë. 

Me lojën e tij inteligjente dhe elegante, me futbollin e bukur që luante në fushën e lojës, me teknikën e lartë dhe shpejtësinë që e karakterizonte, futbollisti me këmbë të artë Dul Duma filloi të kthehej në beniaminin e tifozëve durrsakë që në çdo ndeshje thërrisnin në kor emrin e tij. Në kohën kur shkoi për të kryer shërbimin ushtarak Duli merret për të luajtur në ekipin e Dinamos ku ai arriti suksese dhe në vitin 1958 fitoi edhe titullin “Mjeshtër Sporti”. Me Dinamon Duli luajti deri në vitin 1960, por gjatë kësaj periudhe ai u aktivizua edhe me Vllazninë dhe 17 Nëntorin e Tiranës në ndeshjet ndërkombëtare të këtyre ekipeve. Madje në ndeshjen që Vllaznia luajti ndaj një ekipi jugosllav, Duli shënoi edhe golin e fitores për ekipin shkodran. Gjatë kësaj periudhe ai fiton edhe disa tituj kampion kombëtar me ekipin e Dinamos. Po kështu Duli ka qenë pjesëtar edhe i ekipit kombëtar dhe interesant është fakti që Duli luajti në kombëtare me numrin 9 duke zëvendësuar në ekipin përfaqësues një nga emrat më të mëdhenj të futbollit, Loro Boriçi, e duke mbajtur me të njëjtin dinjitet numrin që kishte ai lojtar në fanellë. Pas Dinamos Duli rikthehet për të luajtur me ekipin e qytetit të tij të lindjes Lokomotivën e Durrësit që në atë kohë ndodhej në kategorinë e dytë. Duli dha kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ekipi i Durrësit atë sezon të ngjitej sërish në kategorinë e parë, ku Duli me lojën dhe golat e tij ishte faktori vendimtar.

Rekordet personale

Duli gjatë karrierës së tij ka edhe një rekord interesant. Ai ka shënuar golin më të shpejtë në historinë e futbollit shqiptar, ku çuar topin në rrjetë pa kaluar as 13 sekonda nga nisja e takimit. Njëkohësisht Duli është edhe lojtari, i cili ka shënuar golin e parë në stadiumin “Niko Dovana”, kur ai u përurua në ndeshjen me Lushnjën për Kampionatin Kombëtar. Duli gjatë karrireës së tij ka patur edhe një fakt interesant. Ai nuk ishte agresiv dhe kurrë nuk dëmtoi ndonjë lojtar me ndërhyrjet e tij e po kështu kurrë nuk u dëmtua përveç një rasti kur gjatë një ndeshjeje në Berlin, Duli doli jashtë loje i dëmtuar nga një goditje me takë e mbrojtësit gjerman Dorner. Ky dëmtim bëri që Duli të mos përfshihej në ekipin tonë gjatë takimit me ekipin e Zenitit të Leningradit. Dul Duma ka patur edhe një të veçantë tjetër, ai ishte shok dhome me portierin e shquar Qemal Vogli në momentin e arratisjes së këtij të fundit për të cilin Dumi e ruajti gjithmonë respektin. Në ndeshjet ndërkombëtare ku ai është aktivizuar si në Hungari, Gjermaninë lindore, Çekosllovaki, BS etj. ka rënë në sy të specialistëve të huaj për lojën e tij dhe shpesh është komentuar edhe nga shtypi i atyre vendeve. Për të gjithë periudhën që luante me Durrësin Dul Duma u kthye në futbollistin kryesor në skuadër si dhe shihej nga ekipet kundërshtare si një lojtar “i frikshëm” që ishte shumë e vështirë të ndalej.

Njeriu i paharruar

Pasi la futbollin si lojtar, Duli vazhdoi si trajner ku së bashku me Refik Resmen stërviste futbollistët e Teutës. Për të gjithë këtë punë të tij Duli ka marrë edhe titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit” e po kështu është nderuar shpesh nëpër anketat e realizuara për 10 sportistët më të mirë të vendit. Ky futbollist i shquar dhe njeri me vlera të shkëlqyera, derisa mbylli sytë nuk u nda nga futbolli me punë, por edhe me shpirt. Ajo që ka bërë Dul Duma për futbollin mbetet e pashlyer për të gjithë sportdashësit, ndërkohë që vlerat e tij si njeri mbeten të pashlyera për të gjithë qytetarët durrsakë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/