Mesfushori kosovar, Florent Avdyli, është rikthyer në Durrës pas vetëm 6 muajsh shkëputjeje. Ai tregon se rikthimet janë gjithmonë të bukura, duke shtuar se ndihet si në shtëpinë e tij kur luan me Teutën. Avdyli vjen pas eksperiencës së shkurtër te Prishtina, ndërsa me “djemtë e detit” ka fituar gjithçka. Mesfushori është i bindur se Teuta do të luftojë fort për trofe deri në fund.
Florent, sa emocionues ishte ky rikthim tek Teuta, pas vetëm 6 muajsh?
Rikthimet janë gjithmonë të bukura, janë një hap më tej, janë gjithmonë një rifreskim i vetes, kështu që është bukur. Nuk është se kam vënë re ndonjë ndryshim të madh me thënë të drejtën, gati-gati nuk më duket se jam shkëputur 6 muaj, por më duket sikur jam shkëputur 6 ditë.
A është Avdyli në formën e tij më të mirë?
Çdo futbollist e ka të vështirë që të arrijë maksimumin, por ndihem mirë për formën që po kaloj. Jam mirë fizikisht dhe kjo është arma ime, por këtu jam si në shtëpinë time.
Në mesfushë konkurrenca do të jetë e madhe. Ju tremb ky fakt?
Unë do të mundohem ta jap maksimumin dhe të bëj atë që trajneri më kërkon prej meje në fushën e lojës. Jam gjithmonë gati për Teutën dhe do të jam 100% sa herë të më kërkohet.
Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Kastriotit?
Kastrioti është një skuadër më shumë se simpatike, ka elementë me shumë eksperiencë brenda. Janë një skuadër pragmatiste. Të mundohemi të zhvillojmë ndeshjen tonë dhe të marrim maksimumin nga ajo. Ne shkojmë përballë Kastriotit me objektiva të qartë.
Jeni të dënuar për tri pikët?
Është një ndeshje shumë e fortë, si të gjitha takimet e tjera. Ne do të futemi për ta fituar këtë takim. Kastriotin duhet ta mundim. Fitorja është detyrim, edhe pse në futboll nuk ka detyrime. Duhet të luajmë për ta fituar ndeshjen dhe duhet të marrim tri pikë patjetër.
Si e shihni Teutën në krahasim me sezonin e titullit?
Është një ekip kampion, një ekip, ku të gjithë punojnë fort, ku ka një energji shumë të madhe në stërvitje dhe ku i gjithë qëllimi ynë është të arrimë objektivat në fund që t’i shërbejë klubit, por edhe për tifozët që janë mësuar në dy vitet e fundit me trofe.
Besoni se edhe këtë sezon e mbyllni me trofe?
Objektivi i Teutës është ndeshja e radhës me Kastriotin. Duhet të harrojmë që kemi dalë një herë kampion, duhet të mendojmë si do të dalim përsëri. Teuta lufton gjithmonë për trofe kampion ose Kupë. Janë të shpallura objektivat, ndaj kemi një punë shumë të madhe përpara.