Pas barazimit ndaj Vllaznisë, ditën e hënë ekipi i Teutës është lënë 24 orë pushim dhe nga sot do të nisë përgatitjet anti-Bylis. Për sfidën me ballshiotët rikthehet mesfushori Asion Daja, i cili shleu pezullimin njëjavor, ndërsa kapiteni Renato Arapi, i cili la fushën në minutën e 8-të i dëmtuar, do të bëjë një rezonancë për të parë shkallën e dëmtimit.Teuta nuk shkoi më shumë se një barazim ndaj Vllaznisë ditën e hënë në javën e 31-të, një rezultat që për blutë nuk ishte ai që pritej pas fitores së Partizanit.
Të shtunën “djemtë e detit” do të presin në Durrës një kundërshtar shumë të fortë në letër si Bylisi. Mesfushori i Teutës, Florent Avdyli, foli me mjaft respekt për kundërshtarin dhe pranoi se durrsakët i pret një përballje mjaft e vështirë, por që duhet fituar.
Çfarë nuk shkoi në barazimin ndaj Vllaznisë?
E kam thënë gjithmonë që Teuta luan për fitore në çdo ndeshje. Më vjen keq për lojën, pasi në mënyrën se si jemi stërvitur, ndeshja nuk shkoi siç duhej dhe nuk po luanim siç dëshironim, sidomos në pjesën e dytë mendoj se e dominuam në tërësi kundërshtarin, por duhet të ishim më të qetë para porte, pasi me pak kujdes mund të merrnim tri pikët.
Mos ndoshta frika për të mos humbur bëri që në pjesën e dytë të sulmonit më pak?
Jo, nuk kishim fare presion për të humbur. Gjërat nuk shkuan siç i kishim planifikuar, bëmë lojën tonë dhe ishim të kujdesshëm.
A ka dhënë prova që Teuta është për titull?
E kam thënë që ky ekip është për kampion. Kam besim te vetja e te skuadra se mund t’ia dalim. Është një Teutë ndryshe këtë sezon dhe po luajmë shumë mirë edhe me topin.
Çfarë prisni në ndeshjen e radhës ndaj Bylisit?
E njohim mirë Bylisin, edhe pse ka ndryshuar shumë. Është një ekip mjaft i mirë dhe cilësor, ka një trajner të mirë dhe e dimë që do të jetë një ndeshje tepër e vështirë. Do të shikojmë çfarë do të bëjmë. Jemi në vendin e dytë dhe 1 pikë prapa. Jemi në rrugën e duhur dhe duhet të futemi me një psikologji tjetër ndaj Bylisit. Shpresoj që të marrim pikët që na duhen në fund të kampionatit, për të dalë kampion.
Fitorja me Bylisin është objektiv për Teutën për të arritur vendin e parë. A ju fut në presion ky fakt?
Për ne është ndeshje shumë e rëndësishme dhe nuk mund të jemi në presion, pasi mendoj se jemi një ekip më eksperiencë në radhë të parë dhe mendoj se jemi duke e përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. E njohim kundërshtarin, kemi luajtur edhe muajin e kaluar, kështu që e dimë për kualitetet.
Trajneri ka punuar më shumë në aspektin teknikotaktik apo psikologjik?
Nuk do të ketë ndeshje të lehta. Unë mendoj se çdo ndeshje ka rëndësinë e saj taktikisht, teknikisht dhe të gjitha gjërat. Edhe ne, ashtu edhe trajneri mundohet që ta përgatisë ndeshjen sa më mirë që është e mundur.





