Kampionati i parë evropian 1960, Shqipëria nuk luan

28 janar 2014 – Emri i kampionit të parë të Europës nuk ekziston më si emërtim gjeografik. Bashkimi Sovjetik tashmë është një ish, por Rusia ka trashëgiminë e fitimit të trofeut të parë. Kampionati i parë Europian, ai i vitit 1960, i cili u zhvillua gjashtë vjet pas themelimit të UEFA-s kishte një formulë tjetër nga ky sotmi. Ishte parë më shumë në formatin e Kupës së Kombeve. Ashtu si Kupa e Botës, Liga e Kampioneve dhe Lojërat Moderne Olimpike, edhe Kampionati Europian mban markën e një francezi: Henri Delaunay, sekretari i Federatës Franceze të Futbollit. Ideja kishte lindur në vitin 1927, por “drita jeshile” u dha në vitin 1957, e u materializua 3 vjet më pas, në vitin 1960. 17 ekipe morrën pjesë në Euro 1960 ku mungesat më të mëdha ishin ato të Gjermanisë Perëndimore, Italisë e Anglisë. Shqipëria nuk morri pjesë në këtë kampionat, ndërsa i veçantë ishte refuzimi i Spanjës për të udhëtur në Bashkimin Sovjetik. Spanja ndodhej në luftë civile, ndërsa urdhërin për të mos udhëtuar drejt vendit komunist e dha gjenerali Françisko Franko. Pas tureve eliminatore, vetëm katër ekipe morrën pjesë në finale: Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia, Franca dhe Çekosllovakia. Finalet u mbajtën në Francë (6-10 korrik 1960). Në gjysmëfinale Jugosllavia fitoi 5-4 me Francën, ndërsa Bashkimi Sovjetik fitoi 3-0 me Çekosllavakinë. Çekosllavakia zuri vendin e tretë pas fitores 2-0 me Francën (vetëm 9 mijë shikues në Marsejë). Bashkimi Sovjetik udhëhiqej në fushë nga portieri mitik Lev Jashin. Trofeu u fitua nga ish-Bashkimi Sovjetik, që mundi në finale një tjetër konglomerat të shpërbërë, ish-Jugosllavinë, pas 120 minutave 2-1. Golin e fitores për sovjetikët e realizoi Viktor Ponedelnik në minutën e 113-të. Finalja e luajtur në “Park des Princes” u ndoq nga 18 mijë shikues. Legjenda Jashin Lev Jashin u dallua në këtë kampionat për altetizmin e tij në portë, staturën e tij imponuese (189 cm), reflekset e jashtëzakoshne dhe “shpiku” portierin mbrojtës. Jashin, kampion i Europës në vitin 1960, është votuar si portieri më i mirë i shekullit të 20-të. Në përiudhën 1954-1967 zhvilloi 78 ndeshje për Bashkimin Sovjetik. “Mbreti” Fonten Sulmues francez Zhust Fonten ishte dhe golashënuesi më i mirë i Kampionatit Europian, përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese. Në finalet e zhvilluara në Francë, ekipet zhvilluan vetëm nga dy ndeshje, asnjë lojtar nuk shënoi më shumë se dy gola: Milan Galic (Jugosllavi), Francois Heutte (Francë), Valentin Ivanoc (Bashkimi Sovjetik), Drazen Jerkoic (Jugosllavi), Viktor Ponedelnik (Bashkimi Sovjetik). Ndeshjet me më shumë gola ishin: Francë-Greqi 7-1 (raundi 1/16) dhe Jugosllavi-Francë 5-4 (gjysmëfinale). Formacioni fitues Bashkimi Sovjetik: Yashin, Tchekeli, Maslenkin, Kroutikov, Voinov, Netto, Metreveli, V.Ivanov, Ponedelnik, Bubukin, Meskhi

 

Euro 1964, Pano shënon golin e parë evropian për shqiptarët

Madhështia e finaleve të Euro 1960, prodhoi edhe audiencën katër vite më pas, në Kampionatin e dytë Europian. Nga 17 ekipe që morën pjesë në eliminatoret e Francë 1960, në Spanjë 1964 shkoi në 29 ekipe, por më të veçantën se skuadra e 30-të përfaqësuese, Greqia nuk pranoi të luante me Shqipërinë. Surpriza e madhe e ka emrin Luksemburg. “Liliputët” eliminuan një gjigant si Holanda (1-1, 2-1), përpara së të eliminoheshin në çerekfinale nga Danimarka me një ndeshje të tretë ekstra (3-3,2-2, 0-1), që kishte eliminuar nga e saj në çerekfinalet eliminatore pikërisht Shqipërinë, për të përfunduar e katërta në Europë. Në finale mbërritën Bashkimi Sovjetik, Spanja dhe Hungaria. Në gjysmëfinale Bashkimi Sovjetik shkatërroi Danimarkën 3-0 në “Kamp Nour” të Barcelonës dhe Spanja mposhti 2-1 pas 120 minutave lojë Hungarinë në “Santiago Bernabeu” të Madridit. Në prami të më shumë se 79 mijë shikuesve në “Santiago Bernabeu”, Spanja mundi 2-1 Bashkimin Sovjetik me një gol të minutave të fundit të realizuar nga Marcelino. 45 vjet më parë, më 29 qershor 1963 në Kopenhagen nisi edhe aventura e Shqipërisë në Kampionatet Europiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë, dhe u fituan po nga toreadorët. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964, e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës”, që ekzistonte midis dy vendeve. Me një “kualifikim” të dhuruar, kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagen, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Europian. Humbje shokuese 4-0, më 29 qershor 1963, ku goli i parë i danezëve si për “tersllëk” u realizua nga pika e bardhë nga ana e Jens Petersenit (16’). Madsen (35’), Klauzen (40’) dhe Enoksen (49’) mbyllën hesapet me portierin Sulejman Maliqati dhe skuadrën e trajnerit Loro Boriçi në aventurën e parë. Katër muaj më pas, më 30 tetor 1963, Shqipëria u paraqit në “Qemal Stafa” me Zyber Konçin në bankinë dhe Shefqet Topin në portë. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në një stadium tërësisht të shitur prodhoi edhe golin e parë historik të Shqipërisë në Europë. Goli i parë i në eliminatoret e një Kampionati Europian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tre minuta nga fillimi i takimit, i cili vulosi edhe fitoren e parë të Shqipërisë në Europë. Për “sportistin shqiptar të shekullit të kaluar” ai konsiderohet edhe si goli më i bukur i i tij, që përkoi me ndeshjen e parë me përfaqësuesen, karrierë që përfundoi pas 20 vjetësh, më 7 nëntor 1973, në ndeshjen miqësore me përfaqësuesen kineze. Legjenda Panajot Pano e përshkruan kështu atë gol historik. “ Sa ka vlere nje gol! Nuk ka gol pa vlere se fundja per ate luhet futboll: per te shenuar apo per te mos pesuar…Goli im me Danimarken ne Tirane pati nje vlere te madhe se u shenua shume shpejt (3') dhe publiku i pranishem ne Qemal Stafen tone dhe e gjithe Shqiperia e kane ndjekur me shume kenaqesi ndeshjen deri ne fund si fitimtare." "Ka qene nje pasim i Lin Shllakut nga e majta e sulmit tone. Kam dribluar dhe sa i jam afruar tek zona e 16-shes ne krahun nga tribuna qendrore kam gjuajtur rrufeshëm ne krahun e djathte te portes daneze nga, ana e qytetit. Portierit i ka kaluar topi nen duar se ishte fare rrafsh me token dhe me shpejtesi shume te madhe e godita plotesisht…Ishte goli i pare ne shkalle europiane dhe ndaj nje skuadre shume te forte e cila u rendit e 4-ta…Mos harrohet edhe fakti tjeter: ne nuk pesuam gol…”, – përfundon lojtari shqiptar i shekullit. Në 24 ndeshje (12 për kampionatet europiane) “Pushkashi i vogël” shqiptar realizoi 4 gola me përfaqësuesen dhe nga 34 gola ndërkombëtarë të “stilit Pano” me Kombëtaren, Tiranën e Partizanin, ku 11 gola i përkasin “vitit të artë 1963”. Sa për statistikë nga takimi i parë kundër Danimarkës në Kopenhagen, që nisi me një humbje 4-0 dhe deri te ai i fundit, 44 vjet më pas, ai me Rumaninë të përfunduar po më një humbje 6-1 në Bukuresht, Shqipëria ka zhvilluar 73 ndeshje, një më pak se ato në eliminatoret e kampionateve Botërore, 74. Bilanci i Shqipërisë në ballafaqimet në kampionatet Europiane ofron këto statistika: 10 fitore, 7 barazime, 57 humbje; 47 gola të shënuar dhe 151 të pësuar (- 104, diferenca e golave). Euro 1964 29 qershor 1963 Danimarkë-Shqipëri 4-0 Golat: Jens Petersen 16' pen, Ole Madsen 35', Eyvind Clausen 40', Henning Enoksen 49' 30 tetor 1963 Shqipëri-Danimarkë 1-0 Golat: Panajot Pano 3’ “Europianët” e parë kuqezinj Danimarkë-Shqipëri 4-0 Sulejman Maliqati, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Mehdi Bushati, Pavllo Bukoviku, Panajot Pano, Fiqiri Thoma Duro. Trajner Loro Boriçi. Shqipëri-Danimarkë 1-0 Shefqet Topi, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Andon Zaho, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Pavllo Bukoviku, Enver Ibërshimi. Trajner Zyber Konçi.

Euro 1968, kur Shqipëria eliminonte Gjermaninë

Për Shqipërinë, Euro 1968, do të kujtohet si një nga kulmet e futbollit shqiptar. Nëse në Euro 1964 kaluam “traun” helen, pasi Greqia refuzoi të luante me Shqipërinë, e më pas Panajot Pano me golin e tij kundër Danimarkës, firmosi edhe fitoren e parë në Europë, në Kampionatin e tretë Europian, kuqezinjtë e drejtuar nga Loro Boriçi arritën rezultatin më të rëndësishëm në Europë, teksa me barazimin 0-0 në Tiranë, i “hoqën qafe” Italisë, kampiones së ardhshme të Euro 1968, një nga pretendentët më të mëdhënj, Gjermaninë.

Fillimet e Kampionatit Evropian

Pas organizimit të Kampionatit të dytë Botëror të futbollit në vitin 1934, 34 vjet më pas Italia organizoi për herë të parë Kampionatin Europian të vitit 1968, njëherësh edhe Kampionati i tretë i organizuar nga UEFA, teksa dy të parët ishin organizuar në Francë (1960, kampion ish-Bashkimi Sovjetik) dhe Spanjë (1964, kampion vendi organizator). Finalet italiane u zhvilluan brenda pesë ditëve, nga 5 deri më 10 qershor 1968, dy ditë më shumë nga sa ishte parashikuar, kjo edhe për faktin se u luajtën dy ndeshje finale. Ishte ky kampionat, që në fakt mori edhe emrin zyrtar që e njohim të gjithë: Kampionati Europian, pasi në dy të parët ishte identifikuar si Kupa e Kombeve të Europës. Por, ky nuk ishte ndryshimi i vetëm. Edhe struktura e kualifikueseve pësoi modifikime: ekipe të ndara në grupe, me dy ndeshje, në shtëpi e transfertë në periudhën 1968-1968. Çerekfinalet u luajtën në vitin 1968 dhe finalet në qershor 1968. Tetë grupe kualifikuese me katër ekipe, përveç grupit 4, i përbërë nga tre ekipe, ku bënin pjesë Shqipëria, Gjermania e Jugosllavia. Atëherë fitorja konsiderohej dy pikë, barazimi 1 pikë, dhe humbja 0 pikë. Çerekfinalistët luanin ndeshje vajtje-ardhje, ndërsa fituesit u bënë pjesë e finaleve të turneut. Vendi organizator i kampionatit u bë i ditur pas raundit kualifikues, që do të thoshte se Italia, më parë duhej të kalonte fazën eliminatore, përpara se të merrte pjesë në fazën finale. Italia, Jugosllavia, Anglia dhe ish-Bashkimi Sovjetik morrën pjesë në fazën e më të mirave.

Shqipëria eliminon Gjermaninë

Shqipëria bënte pjesë pikërisht në grupin 4, i vetmi me tre ekipe, kur shtatë të tjerë ishin të gjithë me katër. Përballë kombëtares sonë dy kundërshtarë të mëdhenj: Gjermania, kampione botës në vitin 1954 dhe Jugosllavia, që do të mbërrinte më pas deri në finalen e Euro 1968. Në katër ndeshje nuk arritëm të shënonim asnjëherë, teksa pësuam 12 gola. Por, pikërisht në këto eliminatore është arritur edhe një nga rezultatet më të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, i cili solli edhe fundin e aventurës nëj kolosi si Gjermania në kualifikueset e Euro 1968. Është pikërisht barazimi i vetëm i Shqipërisë në 14 takime të luajtura historike me Gjermaninë, në debutimin e saj të parë në një Kampionat Europian. Një barazim 0-0 në Tiranë, si hakmarrje e asaj humbje poshtëruese 6-0 në Dortmund, pikërisht në ndeshjen hapëse eliminatore të turneut e ku, Gerd Myleri i famshëm, 7-herë golashënuesi më i mirë i Gjermanisë, 1-herë i Botërorit 1970 dhe 1-herë i Europianit 1972, në debutimin e tij me fanellën e Gjermanisë na shënoi jo pak, por 4 gola. Sulmuesi i Këlnit, Johanes Lohr me dy golat e tij, kompletoi “shifrën tenistike”. Jugosllavia, të cilës i kishim hequr nga duart titullin e Ballkanit në vitin 1946, na mposhti dy herë: 2-0 në Tiranë dhe dyfishin në Beograd, 4-0. 19 lojtarë përdori trajneri i madh shqiptar Loro Boriçi gjatë katër takimeve, ku spikasin 3 portierë të ndryshëm: Mikel Janku (portier), Koço Dinella (portier), Jani Rama (portier), Fatmir Frashëri, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Josif Kazanxhi, Niko Xhaçka, Skënder Hyka, Panajot Pano, Sabah Bizi, Bahri Ishka, Frederik Gjinali, Lin Shllaku, Medin Zhega, Lorenc Vorfi, Foto Andoni e Gani Xhafa. EURO 1968, “KOKË A PIL” Në vitin 1934, kur Italia fitoi për herë të parë Kampionatin Botëror, një përqindje në trofeun e fituar kishte edhe klima fashiste e regjimit të Benito Musolinit, por fitimi i titullit të parë të Kampionatit Europian, ishte krejtësisht një çështje fati. Edhe në këto finale vetëm katër vende morrën pjesë për të diskutuar titullin. Edhe pse ishin parashikaur 4 takime, u luajtën 5 të tilla, me të veçantën se u luajtën dy takime finale. Përveç dy gjysmëfinaleve dhe një ndeshje për vendin e tretë. Shorti e vuri Italinë përballë Bashkimin Sovjetik. Pas 120 minutave ndeshja në “San Paolo” të Napolit (68 mijë shikes) përfundoi pa gola: 0-0. Për të vendosur fituesin u aplikuan jo gjuajtjet e penalltive, një rregull i vendosur më vonë, por hedhja e monedhës, duke e përcaktuar më parë secili kapiten anën e saj. Pra një lojë “kokë a pil”. Fati i buzëqeshi Italisë, pasi kapiteni rus Albert Shesternvoi zgjodhën anën e gabuar. Rendimenti i golave ishte shumë i ulët: në total 5 gola në katërt takime, ndërsa jugosllavi Dragan Xhajiç ishte edhe shënuesi më i mirë me 2 gola. Në gjysmëfinalen tjetër Jugosllavia fitoi 1-0 me Anglinë me golin e vonshëm të Xhajiç (87’), i cili fitoi edhe “këpucën e artë”, me vetëm dy gola të realizuar. Vendi i tretë u fitua nga Anglia, që mposhti Bashkimin Sovjetik: Bobi Çarlton në të 39’ dhe Geof Hurst në të 63’. Edhe finalja Itali-Jugosllavi është një histori më vete. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë: Xhajiç realizoi për jugosllavët në minutën e 39-të, ndërkohë që Italia barazoi vetëm dhjetë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt me Domenghinin (80’). Shtesat nuk e ndryshuan rezultatin, dhe në vend të zgjedhjes së fituesit me hedhjen e monedhës, dy ditë më pas u luajt një finale e dytë, po në Romë. Italia e udhëheque nga legjendari Xhaçino Faketi e Dino Xof në portë fitoi takimin e dytë Jugosllavisë 2-0, me gola të Rivës (12’) dhe Anastasit (31). 55 mijë shikues ishin të pranishëm në stadiumin “Olimpik” të Romës, në triumfin e parë të Italisë në Europë.

Shqipëria në Euro 1968

Eliminatoret, Grupi 4 Gjermani-Shqipëri 6-0 Shqipëri-Jugosllavi 0-2 Jugosllavi-Shqipëri 4-0 Shqipëri-Gjermani 0-0 Gjermani-Jugosllavi 3-1 Jugosllavi-Gjermani 1-0 Renditja Jugosllavia 6 Gjermania 5 Shqipëria 1 “Europianët” kuqezinj Gjermani-Shqipëri 6-0 SHQIPËRIA: Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Josif Kazanxhi, Niko Xhaçka, Skënder Hyka, Panajot Pano, Sabah Bizi, Bahri Ishka. Tr. Loro Boriçi. Shqipëri-Gjermani 0-0 SHQIPËRIA: Koço Dinella, Frederik Gjinali, Frederik Jorgaqi, Lin Shllaku, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Josif Kazanxhi, Sabah Bizi, Panajot Pano, Medin Zhega. Tr. Loro Boriçi. Shqipëri-Jugosllavi 0-2 SHQIPËRIA: Mikel Janku, Fatmir Frashëri, Josif Kazanxhi, Teodor Vaso, Ali Mema, Lin Shllaku, Lorenc Vorfi, Medin Zhega, Panajot Pano, Ramazan Rragami, Niko Xhaçka. Tr.: Loro Boriçi. Jugosllavi-Shqipëri 4-0 SHQIPËRIA: Jani Rama, Frederik Jorgaqi, Gani Xhafa, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Lin Shllaku, Panajot Pano, Ali Mema, Medin Zhega, Sabah Bizi, Foto Andoni. Trajner:Loro Boriçi.

/ Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/