Avionët turq kanë nisur këtë të shtunë bombardimin e objektivave kurde në qytetin e Afrinit në Sirinë veriore, në një lëvizje që ka gjasa të shkaktojë tension me SHBA-në.
Ankaraja zyrtare dhe Presidenti Erdogan kanë akuzuar ashpër SHBA-në ditët e fundit se po armatosin militantët kurdë. Uashingtoni thotë se po i armatos për luftën kundër terroristëve të ISIS-it, ndërsa Erdogan ka frikë se ato armë mund të përdoren edhe kundër Turqisë.
Turqia i konsideron grupet kurde të YPG-së dhe PYD-së si krahët sirianë të organizatës terroriste kurde në Turqi, PKK, si pasojë e luftës me të cilën janë vrarë mbi 40 000 persona në 4 dekadat e fundit.
Ndërkohë, Siria ka paralajmëruar më parë se do të rrëzonte avionët turq nëse ato do të shkelnin hapësirën e saj ajrore, por deri më tani nuk ka lëvizje nga Damasku.