Divjakë, 5 gusht 2014 – 4 muaj pas rrëzimit, ushtria ka marrë përsipër largimin e avionit të rrëzuar italian në plazhin e Divjakës. Avioni tip ‘Piper’ që drejtohej nga italiani Giorgio Riformato dëmtoi rrotën e parë në 10 maj 2014, ndërsa po ulej në plazhin e Divjakës ku do të ngarkohej me 460 kg drogë.

Që nga ajo ditë avioni i rrëzuar ruhej nga policia gjatë gjithë kohës. Për këtë çështje u arrestua dhe shtetasi shqiptar Sajmir Bajrami. Sipas planit të ushtrisë, avioni do të çmontohet dhe më pas do të transportohet me kamion ushtarak drejt Tiranës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte kërkuar ndihmë nga Shtabi i Përgjithshëm për të lëvizur provën material avionin tip “Piper” drejt një vendi ruajtje në bazat ushtarake.

Avioni ka një peshë 912 kg dhe për shkak të krahëve me gjatësi rreth 10 metër, ky avion nuk mund të lëvizet në rrugë tokësore duke u vendosur mbi një kamion pa u çmontuar. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/