Tani që situata e refugjatëve ndodhet në udhëkryq, Europa duket se ka vendosur të sigurojë mbylljen e rrugës ballkanike, ndaj për t’u siguruar që kjo të ndodhë, do të monitorojë detet që lidhin Shqipërinë me Italinë, shkruan gazeta “Shqip”.

Prestigjiozja “ANSA” shkruante se një burim i BE-së kishte siguruar që FRONTEX (Agjencia Europiane e Kufijve) e kufijve do të lëshojë në ajër një avion që do të monitorojë lëvizjet në detin Adriatik dhe Jon. Kjo përforcohet nga ministri i Brendshëm i Italisë, Angelino Alfano, i cili u shpreh se “Shqipëria nuk është më vetëm një shqetësim italian, por edhe i BE-së”. Kësisoj, Alfano konfirmoi se këto ditë do të mbërrinte në Tiranë, kur s’kanë kaluar as dy muaj qëkur ai vizitoi kryeqytetin shqiptar për luftën e përbashkët kundër ekstremizmit fetar. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, vetëm para një jave ishte në Romë, ku italianët kërkuan garanci që skafet dhe gomonet të mos mbërrinin në brigjet e tyre. Italia ka “blinduar” prej ditësh dy bazat e saj në Vlorë dhe Durrës, ndërsa pardje një delegacion i lartë policor, i përbërë nga Guardia di Financa dhe Interforca vizituan këto baza në bregdetin shqiptar.

Momentalisht FRONTEX ka 730 oficerë në Greqi dhe në detin Egje instaloi 14 anije dhe dy helikopterë. Por së fundmi, agjencia e lajmeve italiane ANSA, shkruante se referuar disa burimeve të saj në BE kishte mësuar që FRONTEX (Agjencia Europiane e Kufijve) do të monitorojë hapësirat detare mes Shqipërisë dhe Italisë. Ky veprim do të kryhet për t’ua prerë hovin skafistëve që siç shkruajnë media të shumta të shtetit fqinj, kanë bërë gati gomonet për të dërguar refugjatë në Itali. Deri më tani, asnjë emigrant nuk ka mbërritur në Itali, i nisur nga Shqipëria. /Shqip