Avioni që fluturonte nga Hamburgu i Gjermanisë për në Prishtinë ka bërë një ulje të detyruar në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd. Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, reagoi duke thënë se shkak është bërë një problem teknik.
“Sot, fluturimi i planifikuar nga Hamburg – Gjermani për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur nga Hamburg në ora 14:30, me 155 udhëtarë ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të ulet ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd”, – ka njoftuar Aliu.
Sipas tij, pas incidentit, operatori ajror ndërmori masa të menjëhershme duke organizuar një avion alternativ për transportimin e pasagjerëve. Aeroplani i dytë, me numër fluturimi EW6005, mori udhëtarët e mbetur në Beograd dhe fluturoi për në Köln, Gjermani.
Ministri Aliu ka siguruar qytetarët se autoritetet shtetërore të Kosovës dhe aeroporti i Prishtinës ishin në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë ajrore për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve.