Një udhëtim me avion nga Madridi për në Montevideo ka bërë ulje emergjente në Brazil pasi është goditur nga turbulenca të forta, si pasojë e të cilave kanë mbetur të plagosur 30 persona.

“Air Europa Boeing 787-9 Dreamliner”, i cili kishte 325 pasagjerë në bord, u godit nga turbulencat mbi Atlantik kur pothuajse kishte arritur në bregun brazilian. Më pas, avioni u ul normalisht dhe u prit nga një numër i madh autoambulancash në pistë.

Zyrtarët e aeroportit thanë se disa pasagjerë kishin nevojë për ndihmë mjekësore dhe u dërguan në spitalin më të afërt. Një ekip mjekësor u shpreh për mediat e huaja se ata u dhanë mjekim të paktën 30 pasagjerëve të kombësive të ndryshme, ndërsa 10 prej tyre u dërguan në spital.Pacientët kishin goditur kokën gjatë turbulencës dhe pësuar lëndime, duke përfshirë fraktura të kafkës si dhe dëmtime në fytyrë.

Incidenti vjen disa javë pasi një fluturim u ndesh me turbulenca të forta mbi Mianmar, duke çuar në dhjetëra lëndime dhe vdekjen e një britaniku. Turbulencat e forta janë të rralla, por studimet kanë treguar se ndryshimi i klimës mund të rrisë rrezikun.