Malajzi, 1 prill 2014 – Pas më shumë se 3 javësh pak hapa përpara janë bërë për të zbuluar misterin e avionit Boeing MH370 me 239 persona në bord. Mbetjet në det, të vëna re nga satelitët, nuk i përkisnin atij. Tani autoritetet kanë nisur luftën kundër kohës për të gjetur kutitë e zeza.
Që nga data 8 mars, ora 00.40 me orën lokale, për Boeingun 777 të Malaysian Airlines, nisur nga aeroporti i Kuala Lumpurit e që duhej të ulej në Pekin, nuk dihet asgjë.
Objektet pluskuese
Në datë 20 mars, kryeministri australian Tony Abbott deklaroi se ishin vënë re në Oqeanin Indian 2 objekte të mëdha pluskuese, rreth 2 km larg Perthit. Kërkimet u përqendruan në atë zonë, ndërkohë që në datë 24 mars, kryeministri malajzian Najib Razar konfirmon se avioni ka rënë në Oqeanin Indian. Por misteri i avionit mbetet i pazgjidhur. Asnjë nga objektet e vëna re në det nga satelitët nuk i përkiste atij.
Mesazhi i fundit
Një ditë më parë, autoritetet korrigjuan fjalët e fundit të pilotëve të avionit. Ndërsa deri tani mendohej se fjalët e fundit kishin qenë: “Çdo gjë në rregull, natën e mirë”, tashmë u tha se komunikimi i fundit kishte qenë: “Natën e mirë, Malaysian 370”. Fakti u pohua nga ministri i mbrojtjes së Malajzisë. Sipas tij janë duke u kryer hetime nëse fjalët janë thënë nga piloti, apo ndihmësi i tij.
Kutitë e zeza
Nga Australia është nisur anija “Ocean Shield”, e cila ka në bord pajisjen lokalizuese nënujore “Tower Pinger Locator”. Pajisja është fjala e fundit e teknologjisë dhe është në gjendje të kapë sinjale të lëshuara nga kutitë e zeza të një avioni. Ajo pritet të mbërrijë në zonën e kërkimeve në datë 4 prill. Fatkeqësisht në atë kohë, kutitët e zeza mund të mos jenë më në gjendje të lëshojnë sinjal, pasi fiken pas 30 ditësh.
Konflikti mes shërbimeve inteligjente
Në një raport të agjencisë Reuters, të datës 28 mars, nënvizohet fakti se në kërkimet për avionin janë angazhuar 24 vende, 60 avionë dhe dhjetëra anije, por pa asnjë koordinim qendror. Duket se vendet e përfshira në kërkime nuk kanë qenë të predispozuara të ndajnë të dhënat e rëndësishme e për këtë kërkimet kanë “çaluar”. I vetmi vend, në gjendje për të zbuluar misterin e avionit, SHBA, ka ndjenjur e mënjanuar. Sipas “WantChinaTimes”, SHBA ka shfrytëzuar këtë situatë për të kuptuar kapacitetin e satelitëve kinezë.
Misteri vazhdon
Dje, qeveria e Kuala Lumpurit deklaroi se nuk do t’i ndërpriste kërkimet derisa të zbardhet fati i avionit me 239 persona në bord. Por sipas disa specialistëve, zhdukja e avionit Boeing 777 do të vazhdojë të mbetet mister edhe për shumë kohë.
/m.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





