Malajzi, 21 mars 2014 – Ndërsa anijet dhe avionët e angazhuar në gjetjen e avionit të zhdukur që nga data 8 mars vijon kërkimet intensive në tokë dhe det, një grua malajziane deklaron se e ka parë në det, në ujërat afër ishullit Andaman, Boeing-un e zhdukur nga radarët.

Dëshmitarja thotë se ishte në një avion që po e çonte drejt Kuala Lumpurit, kur ka parë nga xhamat e aeroplanit, një avion që kishte rënë në det. Gruaja deklaron se e ka parë mjetin fluturues që kishte rënë në ujë rreth orës 02.30pm, në datë 8 mars. Ajo thotë se në atë moment i tha stjuardesës për atë që kishte parë, por kjo e fundit i rekomandoi të binte të flinte. Ndërkohë piloti i avionit me të cilin po udhëtonte gruaja malajziane thotë se në atë lartësi që po fluturonin, do ishte e pamundur për këdo që të shihte nga lart një avion të rënë në ujë.  

Ndërkohë, kërkimet më të fundit për avionin e zhdukur nga radarët vetëm një orë pas ngritjes në ajër, janë përqendruar në verifikimin e dy objekteve të vëna re në Oqeanin Indian nga satelitët australianë, por që ende nuk janë verifikuar nëse i përkasin apo jo avionit MH370 me 239 persona në bord.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/