Malajzi, 13 mars 2014 – 6 ditë pas zhdukjes së avionit me 239 persona në bord, hetuesit amerikanë kanë deklaruar se mjeti fluturues mund të ketë qëndruar në ajër edhe për 4 orë të tjera, pasi humbi nga radarët. Kështu shkruan e përditshmja Wall Street Journal, që i referohet burimeve pranë grupit hetues. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë atëherë ngrihet domosdoshmërisht pyetja: Çfarë ka ndodhur në mjetin fluturues në 5 orë fluturim. Avioni u zhduk nga radarët natën mes të premtes dhe të shtunës, rreth një orë pasi ishte nisur me 239 persona në bord nga aeroporti i Kuala Lampurit.

Hetuesit janë duke studiuar tashmë mundësinë që dikush ka ç’aktivizuar trasponder (u lejon radarëve të lokalizojnë avionët) dhe më pas ka ndryshuar itinerarin e udhëtimit. Avioni kishte karburant për një udhëtim prej 7.5 orësh. Nëse hipoteza e re do të vërtetohet në ato pesë orë fluturimi në ajër avioni mund të ketë përshkuar një distancë prej 3500 km, që korrespondon me distancën deri në kufirin pakistanez, ose në ndonjë destinacion tjetër në oqeanin Indian ose detin Arabik.

Deri tani, megjithë kërkimet intensive nuk është zbuluar asnjë pjesë e avionit. Një satelit kinez zbuloi në det tre objekte, por nuk dihet ende nëse ato janë pjesë të avionit të zhdukur.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/