Malajzi, 23 mars 2014– Misteri për avionin e zhdukur malajzian MH370 me 239 persona në bord vazhdon. Krahas kërkimeve në det për verifikimin e objekteve të pikasura nga satelitët, hetuesit janë përqendruar ditët e fundit në një tjetër pistë.
Nga grupi hetimor është bërë e ditur se piloti kryesor i avionit të zhdukur 16 ditë më parë ka marrë një telefonatë 2 minutëshe nga një grua misterioze disa orë para se të nisej për fluturim. Hetuesit kanë arritur në përfundimin se telefonata është bërë nga një numër që është regjistruar me identitet të rremë. Dyqani se ku është shitur karta telefonike është identifikuar shumë shpejt dhe shitësit kanë pohuar se ajo është shitur kohët e fundit dhe figuron nën një emër gruaje, por që pas verifikimeve të nevojshme ka rezultuar identitet i rremë. Hetimet janë përqendruar tani në zbulimin e identitetit të gruas që telefonoi pilotin kryesor të avionit, pasi telefonata e mistershme mund të ketë lidhje me zhdukjen e avionit, natën e 8 marsit.
Për këtë arsye, hetuesit janë rikthyer edhe njëherë në pistën se piloti kryesor i avionit, 53 vjeçari Zaharie Ahmad Shah, mund të jetë i lidhur me ndonjë grup terrorist. 53 vjeçari është i martuar dhe ka tre fëmijë, por kohët e fundit pavarësisht se banonte në të njëjtën shtëpi me gruan, ata ishin të ndarë. Hetuesit do të marrin në pyetje gruan e Shah për të hedhur dritë mbi sjelljen dhe mendimet e burrit të saj.
Seanca e detajuar e pyetjeve nuk është bërë ende, pasi, pavarësisht kompleksitetit që paraqet zhdukja e avionit, në traditën malajziane nuk konsiderohet e përshtatshme t’i nënshtrosh njërezit që po kalojnë një situatë mjaft të vështirë edhe ndaj stresit të një seance të gjatë pyetjesh.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





