11 mars 2014 – Janë ende shumë situata misterioze që rrethojnë zhdukjen e avionit MH370 të kompanisë Malaysia Airlines, i cili u nis pak pas mesnatës së 8 marsit nga Kuala Lumpur dhe rreth orës 06.30 të mëngjesit duhet të kishte mbërritur në Pekin. Prej tij humbi çdo gjurmë në një zonë mbi ujërat vietnameze, ndërsa 239 pasagjerë ndodheshin në bord. Pas 4 ditësh ende nuk dihet asgjë se çfarë ka ndodhur me avionin.

Por B. Joshua, i cili njihet si një njeri me aftësi të veçanta parashikimi dhe shërimi nga Nigeria, duket se ka ditur gjithçka muaj më parë. Në një video të postuar në Youtube, ai shprehet se e kishte parashikuar zhdukjen e avionit malajzian qysh më 28 qershor të vitit 2013.

Profecia e tij kishte të bënte me rajonin aziatik dhe parashikonte se një mjet fluturues me në bord më shumë se 200 persona, do të ndeshte probleme gjatë fluturimit. Megjithëse nuk deshi të bënte publik emrin e vendit që do të kishte probleme me avionin ai tha para të pranishmëve se do t’i dërgonte një letër paralajmëruese ambasadës së atij vendi. Videoja në fjalë është ngarkuar në 8 mars dhe ka marrë deri më tani mijëra e mijëra shikime.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/