Malajzi, 16 mars 2014 – Aeroplani i linjës Malaysian Airline mund të jetë rrëmbyer nëpërmjet një telefoni celular. Kjo është teoria e fundit, e cila mbështetet në deklarimet e një eksperti anti-terror.

Eksperti beson se shpejtësia, lartësia dhe drejtimi i avionit mund të ketë ndryshuar, thjesht duke dërguar sinjale radioje, nga një pajisje e vogël, nga një distancë e largët. Besohet gjithashtu se pasi sistemi mund të jetë “hakuar” nga terroristët, avioni mund të jetë ulur në mënyrë të telekomanduar.

Teoria vjen në një kohë kur kërkimet për fluturimin MH370 janë zgjeruar, me përfshirjen tashmë të 25 vendeve. Një ditë më parë, kryeministri malajzian, Najib Razak konfirmoi se zhdukja e avionit ishte bërë në mënyrë të qëllimshme dhe se mund të ketë fluturuar përtej Kazakistanit. Dr.Sally Leivesley, një ish zyrtare e departamentit kundër terrorizmit në SHBA, tha se ky mund të jetë rrëmbimi i parë i një avioni në botë me anë të internetit. “Duket se ekziston një element i planifikimit nga dikush me anë të një sistemi shumë të sofistikuar”- theksoi ajo.

Policia është duke hetuar edhe në një tjetër pistë. Sipas disa hetuesve, piloti i avionit MH370 mund të ketë rrëmbyer mjetin fluturues në shenjë proteste. Sipas disa mediave, piloti Zaharie Ahmad Shah ishte një mbështetës i “thekur” i liderit të opozitës malajziane, Anwar Ibrahim. Disa orë para nisjes së avionit nga Kula Lumpur Ibrahim do të përballej me një gjyq të rëndësishëm, gjatë të cilit u dënua me 5 vite burg.

Sipas FBI-së, pasagjerët e avionit mund të jenë ende gjallë dhe mund të jenë shoqëruar në një vend për të cilin ende nuk dihet asgjë. Prej më shumë se një javë avioni i Malaysian Airline me 239 pasagjerë në bord është zhdukur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/