DURRËS, 12 shtator 2011 – Një avokat i Durrësit, në rolin e prindit, ka hedhur akuza publike ndaj prokurorisë së rrethit gjyqësor të Durrësit dhe ish-numrit dy të Policisë së Shtetit se kanë inskenuar ngjarje kriminale me prapavijë politike dhe njëkohësisht për të përvetësuar autoveturën e njërit prej dy djemve të rritur. Në një prononcim për “Dyrrah”-un avokati Ilir Malindi tha se “grupi i Agron Kuliçajt (ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit), si dhe njerëzit e tij në drejtorinë e policisë dhe në prokurorinë e Durrësit të përfaqësuar nga Afrim Shehu dhe Besim Hajdarmataj, vepruan kundër djalit tim, Alban Malindi. Ata i grabitën makinën “BMW 730 D”, si dhe arrestuan djalin tjetër, Gentianin, për gjoja implikime me drogën. Këto akte i kanë realizuar vetëm për arsye politike, meqë jam shpallur kundërshtar i Sali Berishës dhe Fatos Nanos, që i kam akuzuar si tradhtarë”. Malindi tregon se prokurori Afrim Shehu, me një shkresë drejtuar komisariatit të qytetit bregdetar më datën 22 maj 2013, urdhëron oficerin e policisë të trafikimit të mjeteve motorike të rrëmbejë makinën që kushton 42 mijë euro, duke e ditur që ishte në proces gjyqësor dhe t’ia dhuronin Agron Kuliçajt. I demaskova aktet e tyre kriminale në media për vjedhje si dhe bëra kallëzim penal për ta në Prokurorinë e Gjykatës së Krimeve të Rënda më 2 qershor 2013. Më 7 qershor 2013, me në krye Agron Kuliçajn, meqenëse nuk mundën të rrëmbenin dot makinën, ata organizojnë operacionin “Sfida” dhe arrestojnë djalin e madh, juristin Gentian Malindi, me pretekstin se kishte bashkëpunuar për trafikimin e 500 kg drogë që vinte nga “Republika e pavarur” e Lazaratit”, thotë Malindi. Avokati thellohet në denoncimin, teksa thotë se Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i ka dërguar me dhjetëra mesazhe për të arrestuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këto operacione kriminale. “Adriatik Llalla nuk ka guxuar të më kthejë përgjigje, pasi besoj se dhe ai bën pjesën në orkestrën kriminale të dirigjuar nga Sali Berisha”, thotë avokati.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/