Edhe Dhoma e Avokatisë në Durrës ka vendosur të bojkotojë për tre ditë proceset gjyqësore në shenjë proteste për vrasjen e avokatit Ravik Gurra në Elbasan, fundjavën që lamë pas.

“Akt shumë i rëndë që nuk pranohet për cilindo qytetar jo më për një avokat. Avokatët kanë një mision shumë të shenjtë, misionin që të mbrojnë qytetarët nga padrejtësitë dhe në fund ndodh që të përfundojnë vetë në padrejtësi të tilla”, thotë për “DurrësLajm”, avokati Gramoz Lika.

Sipas tij, vrasja e kolegut Gurra tregon që shteti nuk e ka kryer detyrën ndaj edhe bojkoti vjen si një thirrje për më shumë siguri ndaj drejtuesve të shtetit.

Lika tha se avokatët e Durrësit janë në pritje të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe asaj të qytetit bregdetar në lidhje me këtë çështje.

Kujtojmë që më 19 korrik 2018, në qytetin e Durrësit u dhunua avokati Ilia Ilia para institucionit të Prokurorisë.

G.D.