Avokatët e ish-presidentit Donald Trump filluan të premten të paraqesin argumentat e tyre se pse akuza ndaj tij për nxitjen e trazirave vdekjeprurëse të muajit të kaluar në Kapitol të SHBA duhet rrëzuar, duke argumentuar se gjyqi për të, ishte një akt “hakmarrje politike” nga demokratët.
Mbrojtja pritet të zgjasë tre deri në katër orë për të argumentuar se zoti Trump nuk ishte përgjegjës për nxitjen e trazirave të 6 janarit, që bënë ligjvënësit të druheshin për sigurinë e tyre dhe rezultuan në vdekjen e pesë personave, përfshirë një oficer policie.
Avokatët e ish-presidentit kanë thënë se retorika e tij ishte e mbrojtur nga garancia e fjalës së lirë të Kushtetutës amerikane dhe se prokurorët nuk kishin arritur të vërtetonin një lidhje të drejtpërdrejtë të veprimeve të protestuesve me fjalimin e zotit Trump.
Avokatët e ish-presidentit Donald Trump thanë se u duhet vetëm një ditë për të paraqitur çështjen e klientit të tyre në gjyqin para Senatit amerikan.
Avokatët e zotit Trump kanë ndërtuar strategjinë e mbrojtjes pa ndonjë dëshmi nga ish-presidenti, i cili ka refuzuar të marrë pjesë në gjyq.
Mbrojtja pason një prezantim dy-ditor nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që lidhën retorikën e ish presidentit Trump në tubimin e 6 janarit me veprimet e turmës që sulmoi Kapitolin menjëherë pas fjalimit të tij në përpjekje për të bllokuar çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Në një lëvizje të pazakontë të enjten, tre senatorë republikanë – Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, Ted Cruz i Teksasit dhe Mike Lee i Jutas – të cilët shërbejnë si anëtarë të jurisë në gjyq, u takuan me avokatët e ish-presidentit Trump.
Kanali CNN njoftoi se David Schoen, një nga avokatët e Trumpit, tha se senatorët donin të siguroheshin që ekipi mbrojtës i Trumpit ishte “i njohur me procedurën” para prezantimit të së premtes.
Ish presidenti Trump njoftohet të jetë i zhgënjyer me prezantimin e avokatëve të tij –David Schoen dhe Bruce Castor – të cilët u morën në punë pasi ekipi i parë ligjor i ish-presidentit u largua pak para fillimit të gjyqit.
Prokurorët, që janë nëntë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve argumentuan të enjten se ka prova “të qarta dhe dërrmuese” që ish Trump nxiti sulmin duke dërguar një turmë të mbështetësve të tij në Kapitol muajin e kaluar për t’u përballur me ligjvënësit, ndërsa ata po çertifikonin rezultatin e fitores së demokratit Joe Biden.
Në argumentat përmbyllëse, kongresmeni Jamie Raskin nga Merilendi, u tha 100 anëtarëve të Senatit që shërbejnë si anëtarë të jurisë se duhet të përdorin “arsyetimin praktik për atë që ndodhi “.
“Është parim themelor që askush nuk mund të nxisë protesta të dhunshme” në demokracinë amerikane, tha zoti Raskin. /VOA





