Sot, avokatët do të bojkotojnë të gjitha proceset hetimore dhe gjyqësore, në çdo nivel gjykimi.

Vendimi u mor më 2 shkurt 2016 nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, pasi i duket i padrejtë vendimi i qeverisë sa i takon ndryshimeve të ligjit “Për përcaktimin e pagës mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për personat e regjistruar si të vetëpunësuar, të cilët kryejnë veprimtari ekonomike profesionale, dhe punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të”.

Sipas njoftimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, bojkotit nuk do t’i nënshtrohen vetëm seancat që do të zhvillohen lidhur me masat e sigurimit personal.

Në mbledhjen e së shtunës të Dhomës së Avokatisë në Durrës, kreu i saj Skënder Korriku, deklaroi se ky vendim i qeverisë është tërësisht i padrejtë dhe prek kryesisht avokatët e rinj.

Korriku pohoi se pas këtij bojkoti, në rast nuk do të ketë reagim ndaj vendimit për sigurimet shoqërore të profesioneve të lira, protesta do të vijojë edhe më tej.