Vëllai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka reaguar pas tërheqjes nga mbrojtja të avokatëve të Thaçit në Hagë, për shkak të mospagesës.
Në një prononcim për mediat kosovare, vëllai i ish-presidentit, Idriz Thaçi ka sqaruar se kontrata me kompaninë ligjore “Greenberg Legal Associates”, nuk është vazhduar në vitin 2024 për shkak të vështirësive financiare në mbulimin e kostos së të gjithë avokatëve të angazhuar si pjesë e mbrojtjes së Thaçit.
Ai është shprehur se avokat kryesor i ish-presidentit Thaçi, do të jetë avokati, Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës.
“Në pamundësi për ta mbuluar koston për të gjithë avokatët e angazhuar deri në fund të vitit të kaluar, për shkak të vështirësive financiare jemi detyruar ta reduktojmë ekipin dhe tani avokat kryesor i z. Thaçi është z. Luka Misetic, i cili do të jetë në koordinim të plotë edhe me avokatët e tjerë ndihmës. Z. Kehoe ka qenë i informuar lidhur me vështirësitë në mbulimin e kostos së shërbimeve të ekipit të tij dhe për mosvazhdimin e kontratës në vitin 2024. Ne e falenderojmë z. Kehoe dhe ekipin e tij për angazhimin e deritashëm dhe për punën e mirë që e kanë bërë në mbrojtjen e z. Thaçi.”, tha ai.
Idriz Thaçi është shprehur se ekipi aktual do të vazhdojë me përkushtim të plotë mbrojtjen ligjore dhe në fund të këtij procesi do të dëshmohet pastërtia dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.
“Po ashtu, besojmë se ekipi aktual do ta vazhdojë me përkushtim të plotë mbrojtjen dinjitoze ligjore dhe në fund të këtij procesi do të dëshmohet pastërtia dhe e vërteta e luftës së UÇK-së”, ka thënë vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi.
Kujtojmë se më herët për këtë ngjarje ka reguar edhe Ministri e Drejtësisë në Kosovës, e cila bëri me dije se pagesa kryen veç për avokatët me të cilët ka marrëveshje, dhe nga trupa mbrojtëse e Thaçit, ishte vetëm Luka Misetic ai i cili është paguar nga Kosova.