TIRANË- Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Avokati i Popullit nënshkruan të martën Memorandumin e Bashkëpunimit "Për referimin e rasteve dhe masave administrative ndaj funksionarëve të drejtësisë kur konstatohen shkelje të ligjit". 

Memorandumi, i nënshkruar nga titullarët e tre institucioneve përkatësisht, ministri Eduard Halimi, nënkryetari i KLD-së, Elvis Cefa dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani synon konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet Palëve për referimin e rasteve dhe masave administrative ndaj funksionarëve të drejtësisë, sipas kompetencës së secilës palë, kur konstatohen shkelje të ligjit. 

Ministri i Drejtësisë Halimi tha se qytetarët e kanë më të lehtë reagimin e tyre ndaj sistemit të drejtësisë nëse ai është transparent. 

"Aksesi qytetar në këtë sistem është fondamental për krijimin e klimës së besimit mes qytetarëve dhe sistemit të drejtësisë. Përdorimi i një informacioni që merret nga një sistem drejtësie transparent nxit monitorimin e institucioneve dhe të vetë sistemit. Sa më shumë qytetarët të jenë aktorë që monitorojnë sistemin aq më mirë i bëjnë atij", tha ministri i Drejtësisë.