Avokati i Vangjush Dakos, Petrit Ismaili ka folur për gazetarët pas përfundimit të seancës gjyqësore të mbajtur ditën e sotme në GJKKO ku u vendos masa e sigurisë arrest me burg për ish kryebashkiakun e Durrësit.

Ai tha se Dako ka kundërshtuar akuzat ndërkohë që pala mbrojtëse ka kërkuar masë më të butë sigurie. Ismaili theksoi se vepra penale ka 10-12 vite që ka ndodhur dhe se akuzat janë një lapsus i prokurorisë.

“Gjykata vendosi masën e sigurimit të dhënë po nga kjo gjykatë të dhënë në datën 6 qershor, Është në disporporcion të plotë me veprën penale të Dakos. Po hetohet për një fakt historik. Ka 10-12 vjet që mund të jetë kryer vepra penale për të cilën akuzohet. Prokurori nuk paraqiti asnjë provë për të justifikuar nevojën e ngutshme të këtij vendimi të ndërmarrë.

Ngeli në kuadrin deklarativ. Ne kërkuam ndryshimin e masës së sigurimit. Dako e ka ushtruar mandatin e tij përmes strukturave kolegjiale të zgjedhura si dhe përmes strukturave organike të miratuara që kanë të përcaktuara detyra.

Nuk mund të mbajë përgjegjësi kryetari i bashkisë për veprimet e strukturave organike që ka nën varësi. Dako dha deklarim mohues. I kundërshtoi akuzat. Doli fare qarte që është një lapsus i prokurorisë. Është e provuar që vepra penale nuk ekziston fare”, deklaroi ai.