Vëllai i avokatit Besnik Muça i është drejtuar policisë së Durrësit për të bërë denoncimin mbi zhdukjen e vëllait të tij, në tentativë për të hedhur dritë mbi fatin e 54-vjeçarit.

Avokati Besnik Muça, prej disa kohësh kishte hapur një zyrë avokatie në Tiranë dhe disa herë në muaj shkonte në Itali, ku jetonte bashkëshortja bashkë me fëmijët.

Por avokati Muça i ka humbur kontaktet me familjarët që nga data 2 nëntor, kur ai do të imbarkohej në traget, për t’u nisur drejt Italisë.

Policia e Durrësit i konfirmoi DurrësLajm se ka nisur hetimet për këtë rast, që është denoncuar edhe para autoriteteve italiane nga bashkëshortja e avokatit 54-vjeçar.

Të njëjtat burime nga policia e Durrësit, bëjnë të ditur se në sistemin TIMS rezulton se avokati Muça ka bërë check-in në portin e Durrësit, por nuk dihet me saktësi ku mund të jetë zhdukur.

Autoritetet shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të jetë zhdukur në tragetin e linjës Durrës- Bari, ashtu siç shkruajnë mediat italiane ndërsa shtojnë se ka mundësi që edhe të mos ketë hipur fare në traget.

Sipas vëllait të tij, Muça ishte një njeri i mbyllur, por familjarët nuk kanë dijeni për ndonjë shqetësim të tij kohët e fundit. 

K.H.