Avokati Maks Haxhia, përfaqësuesi ligjor i Ergys Agasit, është paraqitur këtë të martë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku ka kërkuar të tërheqë dokumentacionin zyrtar që lidhet me çështjen e klientit të tij.

Haxhia deklaroi se dosja hetimore është shpërndarë tashmë në media, ndërkohë që ai dhe vetë Agasi ende nuk e kanë marrë zyrtarisht. Sipas tij, kjo situatë përbën komprometim të procesit hetimor.

Avokati theksoi se në dosjen e SPAK, sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që vërteton se Ergys Agasi ka lidhje me fushën e tenderave apo përfshirje në ndonjë rast rrëmbimi.

Duke sqaruar edhe vendndodhjen e klientit të tij, Haxhia tha se Agasi ndodhet jashtë Shqipërisë, ku po zhvillon një marrëveshje biznesi, dhe se ai nuk është në arrati. Sipas tij, sapo të kthehet në vend, Agasi do të përballet me drejtësinë.

“Është jashtë shtetit duke lidhur një marrëveshje biznesi. Patjetër që do të vetëdorëzohet. Kur të kthehet, do të mbajë qëndrimin e tij dhe do të përballet me drejtësinë,” u shpreh Haxhia.

Ai kritikoi gjithashtu SPAK-un për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet çështja, duke deklaruar se publikimi i të dhënave të dosjes e komprometon hetimin dhe se konkluzionet po nxirren nga politika dhe opozita.

“Kur nuk është politikan, ç’lidhje ka ai me emërime? SPAK thotë ato që do SPAK, por jo ato që janë në realitet dhe prova. Nuk ka asnjë provë që Agasi të jetë marrë me fushën e tenderave dhe as nuk njihet me personin për të cilin flitet,” tha Haxhia, duke iu referuar rastit të Gerond Meçes, i cili është marrë peng dhe është kërcënuar për të hequr dorë nga ankimimet për tenderë.

Çështja mbetet ende në fazë hetimi, ndërsa priten reagime të mëtejshme nga SPAK.

Përfshirja e drejtoreshës së AKSHI-t: si zhvilloheshin takimet sekrete në zyrën e Ergys Agasit – “Projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4”

Dosja e Prokurorisë së Posaçme zbardh detaje të reja nga hetimi për një aferë të dyshuar të rëndë që përfshin Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku drejtues të institucionit, biznesmenë dhe zyrtarë të lartë dyshohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal për manipulimin e procedurave të prokurimit publik.

Sipas SPAK, në qendër të hetimit ndodhen drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoresha Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, si edhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili.

Takime të fshehta dhe përgjime në zyrë

Në argumentimin e SPAK theksohet se Mirlinda Karçanaj ka pasur njohje dhe kontakte të drejtpërdrejta me Ermal Beqirin, ortak në shoqëri tregtare pjesëmarrëse në tenderët e AKSHI-t. Këto marrëdhënie, sipas hetuesve, janë provuar jo vetëm përmes deklarimeve, por edhe nga pamje filmike të siguruara nga kamera të fshehta, të instaluara në zyrën e Ergys Agasit.

Pamjet e sekuestruara nga pajisja “4-Smart Battery Camera” tregojnë takime të përsëritura mes Karçanajt, Agasit dhe Beqirit, gjatë të cilave diskutoheshin projekte konkrete dhe procedura prokurimi. Në një prej bisedave të përgjuara, sipas dosjes, dëgjohet shprehja:

“Projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4”, si edhe komente të tjera që, sipas SPAK, nënkuptojnë përcaktimin e kritereve të tenderëve dhe rritjen e fondeve limit të kontratave publike.

Lidhje personale dhe konflikt interesi

Hetimi ka zbuluar se Ermal Beqiri ka lidhje të drejtpërdrejtë me Ergys Agasin, i cili rezulton ortak i shoqërisë “EA Solutions” sh.p.k. Të dy njihen prej vitesh edhe me Mirlinda Karçanajn. Dosja vlerëson se këto lidhje personale krijojnë dyshime serioze për konflikt interesi dhe ndërhyrje të paligjshme në procedurat e prokurimit të AKSHI-t.

Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se Viola Agasi, e punësuar pranë AKSHI-t dhe pjesë e grupeve të punës për procedurat e tenderëve, rezulton të jetë motra e Ergys Agasit, çka sipas SPAK forcon dyshimet për një skemë të organizuar manipulimi.

Deklarimet e drejtoreshës së AKSHI-t

Në dëshminë e saj, Mirlinda Karçanaj nuk i ka mohuar njohjet me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Ajo ka deklaruar se me Agasin ka marrëdhënie miqësore dhe njohje të hershme, duke pranuar se është takuar disa herë me të në zyrën e tij për çështje private.

Sa i përket Beqirit, Karçanaj ka pohuar se e ka takuar rastësisht në zyrën e Agasit, në kuadër të diskutimeve për zgjidhje teknike dhe partneritete të mundshme. Megjithatë, sipas SPAK, takimet e përbashkëta dhe përmbajtja e bisedave të përgjuara tregojnë se palët kanë qenë të lidhura ngushtë dhe se drejtuesja e AKSHI-t ka pasur dijeni të plotë për marrëdhëniet mes Agasit dhe Beqirit.

Hetimet vijojnë, ndërsa dosja e SPAK pritet të hedhë më shumë dritë mbi mekanizmin e dyshuar të manipulimit të tenderëve publikë në një nga institucionet kyçe të teknologjisë dhe informacionit në vend.