TIRANE– Dy persona ende të paidentifikuar plagosën një avokat gjatë një sulmi të dhunshëm pranë pallatit ku banon juristi në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes, në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, te blloku i banimit që njihet me emrin “Pallatet e Telebingos”. Policia ka thënë se avokati i plagosur është Gramoz Memishaj, 45 vjeç, i cili pas sulmit është shtruar për mjekim në Spitalin Ushtarak.
Forcat e rendit janë lajmëruar nga banorët e pallatit ku banon avokati Memishaj, të cilët kanë dëgjuar të bërtitura dhe fillimisht kanë dyshuar se po ndodhte ndonjë sherr mes të rinjve që rrinë në lokalet pranë vendit të ngjarjes. Por, kur shërbimet e Komisariatit Nr.2 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë gjetur të gjakosur avokatin Memishaj, të cilin e kanë transportuar drejt Spitalit Ushtarak. Në momentet e para pasi ndodhi ngjarja, Policia e Tiranës dyshoi për ndonjë sulm të mundshëm me qëllim grabitjen, por ky variant u hodh poshtë nga vetë i dëmtuari. Ai ka shpjeguar se dy agresorët nuk tentuan në asnjë moment që t’i merrnin atij ndonjë send me vlerë dhe nuk bënë asnjë kërkesë të tillë.
Hetimi
Disa orë pas ngjarjes, avokati Gramoz Memishaj është marrë në pyetje në Spitalin Ushtarak, ku ndodhej i shtruar edhe gjatë ditës së djeshme dhe ka hedhur poshtë grabitjen. Ai treguar se autorët nuk i kanë vjedhur asgjë, vetëm e kanë goditur, kur ishte drejtuar për te hyrja e pallatit ku banon. Nga ana tjetër, nuk ka dhënë ndonjë ndihmë për grupin hetimor që të zbulojnë motivet e ngjarjes, apo edhe të identifikojë autorët. Madje, avokati 45-vjeçar ka pretenduar se sulmi ndaj tij mund të jetë ndonjë ngatërresë nga ana e autorëve. Memishaj është shprehur për oficerët e Policisë se nuk ka probleme me asnjë person dhe as vetë nuk di ta shpjegojë arsyen pse është sulmuar.
Në këtë mënyrë ai ka deklaruar se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv. Sipas tij, ata kanë qenë dy persona, të cilëve nuk ka arritur t’ua shohë fytyrat, për shkak të errësirës dhe për të njëjtën arsye, edhe ata mund të mos e kenë parë. Sipas tij, ata mund të kenë qenë duke pritur tjetër person për ta sulmuar dhe gabimisht e kanë goditur atë. Vetëm këtë shpjegim ka arritur të japë për ngjarjen avokati i plagosur, ndërsa autorët e sulmit ende nuk janë identifikuar. Policia ka nisur procedim penal me akuzën “plagosje e lehtë e kryer në bashkëpunim”, edhe pse ende nuk ka asnjë motiv për ngjarjen.





